Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bashkimi Evropian mbetet synimi strategjik i Qeverisë së Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot është takuar me shefin e Zyrës se BE-se/përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Selimi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që Ministria e Drejtësisë ka me Zyrën e Bashkimit Evropian, e cila ka ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes projekteve të cilat kanë sjellë cilësi, ekspertizë dhe infrastrukturë në sistemin e drejtësisë. Në takim po ashtu u shkëmbyen pikëpamjet mbi rezultatet e reformës në drejtësi, veçanërisht procesi i rishikimit funksional i sundimit të ligjit dhe procesi i llogaridhënies, përfshirë Vettingun si pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial.

Përveç agjendës legjislative, Selimi dhe shefi i Zyrës se BE-se/përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Szunyog kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizmit të vizave, si dhe detyrat të cilat e presin Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, me ç’rast ministri Selimi ritheksoi se Bashkimi Evropian mbetet synimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë institucionet e vendit janë të përkushtuara në avancimin e agjendës për integrim.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë rruga e vetme e Kosovës dhe garantuese për të ardhmen e saj në Bashkimin Europian”, ka thënë Ministri Selimi.

Nga ana tjetër shefi i Zyrës se BE-se/përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, z. Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i përkushtuar për të çuar më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me të gjitha institucionet e Kosovës për ta ndihmuar në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Në përfundim të takimit, ministri Selimi duke falënderuar Szunyog për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e reformave në Kosovë dhe avancimit të agjendës të integrimit, e cili mbetet një nga synimet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Artikuj të ngjashëm