Mërgimtarët që të enjten po ktheheshin në vendet perëndimore nëpërmjet pikës kufitare në Merdar kanë pritur rreth 4 orë në dalje të Kosovës. Pavarësisht pritjeve të gjata në kolonën 2-kilometërshe, bashkatdhetarët kanë thënë se tashmë janë mësuar të presin dhe se malli për familjen është më i madh sesa pritjet e gjata. Në anën tjetër, në Policinë e Kosovës janë thënë se i kanë shtuar kapacitetet në menaxhimin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare
Me pritje të gjata janë ballafaquar mërgimtarët, të cilët të enjten po ktheheshin në vendet perëndimore nëpërmjet pikës kufitare në Merdar. Ata kanë pritur rreth 4 orë në kolonën e gjatë rreth 2 kilometra për të kaluar në Serbi. Pavarësisht pritjeve, disa prej tyre kanë thënë se tashmë janë mësuar të presin edhe nga 5 e 6 orë nëpër kufij dhe se malli për familjen i mund pritjet e gjata.
Musa Ahmeti nga Rahoveci, i cili thotë se po priste rreth tri orë këtu në Merdar, lutet që pritje të mos të ketë edhe në kufirin Serbi-Hungari.
“Sot kemi marrë rrugë për në Austri, qe dy orë jemi t’u pritë, besoj që edhe gjysmë ore do të kalojmë. Ama është kohë e gjatë për me pritë me fëmijë. E kam djalin 5 vjeç, ama çka të bësh, ia vlen për vendin tonë. Po ishallah nuk presim edhe atje në kufirin tjetër Hungari-Serbi, se edhe atje mund të ketë pritje të gjata. Si t'ju them, vendi yt të ngreh edhe pse presim gjatë. Ndihem keq se në kohë dimri me pritë nga dy orë e gjysmë-tri”, ka thënë Ahmeti, i cili të enjten po kthehej në Austri.
Bashkatdhetarët thonë se krahasuar me vitet e tjera sivjet kanë pritur më pak.
“Kam qenë në Prizren e kam vizituar familjen, shyqyr i gjeta mirë. Qe dy javë jam në Kosovë, tash po e lëshoj Kosovën. Deri tash te kjo pika e kufirit këtu dy orë e gjysmë që po pres, ama krahasuar me vitet e tjera nuk është fort keq, se jemi mësuar me pritë me nga 5-6 orë. Po, nuk janë edhe pak, po është problemi që jemi mësuar me pritë gjithmonë kështu. Ishallah do Zoti po hjeken naj herë këto se më të vërtetë na u bonëm llom. Prit këtu, prit atje, nuk po e di për Zotin”, ka theksuar Edon Berisha.
Ai e ka pasur një porosi për bashkatdhetarët, që të vijnë sa më shpesh në vendlindje.
Ndërkohë, Liridon Avdiu thotë se pritjet po ia shtojnë mërzinë që po e lë vendlindjen.
“Jam kanë në Fushë-Kosovë, dy javë kemi ndejtë. Këtu në kolonë jam qe dy sahat e gjysmë, qaty tri po bëhen. E për me pritë kështu vazhdimisht. Vallahin s’po di po na e gërtitin, se po duhet me prit, edhe mërzitshëm, edhe me prit tani s’është kah ecë hiç”, thotë ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se i kanë shtuar kapacitetet për menaxhimin e kontrollit kufitar në të gjitha pikëkalimet kufitare.
“Kapacitete tona policore janë shtuar edhe në menaxhimin dhe kontrollin kufitar nëpër të gjitha pikëkalimet e kufirit shtetëror, pasi që fluksi i njerëzve dhe automjeteve në këtë periudhë të vitit rritet si rezultat i ardhjes apo shkuarjes së bashkatdhetarëve tanë nëpër vendet ku ata jetojnë e punojnë, dhe kjo kërkon angazhimin e resurseve shtesë për një menaxhim sa më efikas dhe lehtësim të qarkullimit”, ka theksuar Hoxha.
Sipas Qendrës kombëtare për menaxhim kufitare, paraditen e së enjtes, në pikën kufitare në Merdar, në dalje të Kosovës, pritjet ishin 4 orë, ndërkohë në mbrëmje ato kishin rënë në 3 orë. Kurse në pikat e tjera kufitare pritjet kanë qenë më të vogla.