Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bashkatdhetarët dhe komuna bëjnë me shtëpi familjen Hajdari në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova” nga Friburgu i Gjermanisë, Rasim Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, kanë përuruar të premten shtëpinë e re të familjes së Nystret Hajdari nga fshati Tushilë e Skenderajt, një investim nga i përbashkët i bashkatdhetarëve në Friburg, që ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së banimit për rastet me gjendje të rëndë ekonomike e sociale në komunën e Skenderajt, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Jashari, pasi ia ka dorëzuar çelësin kryefamiljarit Hajdari, është shprehur i lumtur me kontributin e shoqatës në fjalë, e cila ka mbledhur fonde nga vëllezërit tanë shqiptarë në Gjermani, me të cilat është ndërtuar shtëpia për familjen 3 anëtarëshe, dhe ka falënderuar të gjithë dashamirët dhe kontribuuesit për këtë shtëpi”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Kryefamiljari i kësaj familjeje nuk ka mundur të fshehë gëzimin, pasi prej sot ai është bërë me shtëpi të re. Para se të ndërtohej shtëpia, Hajdari me familjen e tij kanë jetuar në një shtëpi njëdhomëshe, në kushte shumë të vështira të banimit.

Sipas përfaqësuesve të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova”, vlera e këtij projekti për ndërtimin e shtëpisë, e kompletuar me pajisjet e brendshme të nevojshme është rreth 14 mijë euro.

Në fund të vizitës Jashari i ka ndarë mirënjohje Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova”, si dhe ia ka dhuruar edhe Stemën e Komunës së Skenderajt​.