Arbëri

Basha viziton Prekazin

Dimal Basha

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz, pak ditë pasi u përball me akuza pasi emri i tij u paraqit si bashkautor i një teksti në të cilin shkruhej ndër të tjera se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte financuar nga trafikantë të drogës.

“Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari. Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, ka shkruar Basha në Facebook.

Ai po ashtu ka njoftuar për vizitë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, tek ai i veprimtarit Adem Demaçi si dhe te memoriali “Heroinat”

“Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuesit e lirisë sonë. Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre”, ka shtuar ai.

Basha pati mohuar se e ka shkruar pjesën për UÇK-në , duke thënë se në punim përgjegjësi ka vetëm mbi kapitullin për fundamentalizmin islamik. Ai ka thënë se ka qenë “i pakujdesshëm” dhe se nuk ka qenë në dijeni të tekstit, deri kur iu publikua pasi u bë kryeparlamentar. Ka thënë po ashtu se ka kërkuar të hiqet kapitulli i punuar nga ai në këtë punim, por edhe emri i tij.

“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, pati thënë ai të hënën në një konferencë për media kur edhe u shpreh se do ta vizitojë Prekazin dhe familjen e presidentit Ibrahim Rugova.