Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe se interesin shtetëror duhet ta vendosë mbi aleancat me partnerët ndërkombëtarë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Baraliu ka thënë se drafstatuti i fundit, i propozuar nga Perëndimi, e bën të qartë se “kemi jo vetëm vazhdimësi të marrëveshjeve 2013-2015, por faktikisht dhe fatkeqësisht, dyfishim, mbrojtje të dyfishtë - në bazë të objektivave që janë shpallur - të një komuniteti në baza etnike”.
Sipas Baraliut, Asociacioni është monstrum politik që dëmton në rrënjë shtetin e Kosovës.
“Aty thuhet vetëqeverisje/vetëmenaxhim. Janë lojë fjalësh me nocione. Thuhet autonomi substanciale dhe thuhet mbrojtje e dyfishtë. Pra bazuar në këto të gjitha, kemi produkt juridik, surrogat, që edhe ashtu po hezitohet e madje edhe nga demokracia, që është transparenca, sepse edhe ata që e kanë përpiluar as këta që e kanë pranuar nuk po e bëjnë publike as para opinionit publik as subjekteve”, ka thënë Baraliu.
Ai ka shtuar se ekziston frikë si në liderët vendorë edhe ata ndërkombëtarë për çështjen e Asociacionit, për shkak të unitetit popullor për ta refuzuar Asociacionin.
Edhe
Baraliu: Asociacioni nënkupton shkatërrimin e Kosovës
Baraliu ka thënë se as qëndrimet e ambasadorëve të huaj nuk e bindin se Asociacionin është çështje që duhet pranuar. “S’dyshoj në qëllimet e tyre, por janë politike dhe diplomatike e synime në kuptimin gjeostrategjik të planeve më të gjera se që jemi ne. Njëjtë thoshin edhe për demarkacionin...”, ka thënë ai.
“Por a duhet pranuar? Në asnjë mënyrë. Çdo shtet, çdo subjekt, edhe si individ në familje mes vëllezërve e motrave kudo në botë ka rregullin e vet dhe interesin e vet jetik. Kur vjen ai interes jetik duhet thënë jo. Ka interesa vitale për t’i ruajtur balancat dhe aleancat... por mbi të gjitha është ruajtja e substancës, shteti, Kushtetuta dhe mekanizmat e vet. Duhet ta kemi parasysh. Raportet duhet të ruhen, por kur është interesi shtetëror, nëse Kosova e jep edhe këtë më lejoni të konstatoj se po rrezikojmë ne dhe bashkësia ndërkombëtare, po na dëmton pariparueshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, çështje që Kosovës t’i ofrohet njohje de-facto nga Serbia është absurde. Ai ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare po mashtrohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Politika e BE-së jo vetëm që është e gabuar, por e pamëshirshme sepse nuk i trajton palët në mënyrë të barabartë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ndërkombëtarët kanë qëndrime prapakthyese për çështjen e Kosovës, duke cituar letrën e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe atij aktual Joe Biden se njohja duhet të jetë në qendër te kalimi në “diçka që s’është as njohje, as stabilizim e as normalizim”. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të pranojë as “garancitë” e dhëna për zbatim të marrëveshjeve. “Askush s’mund të garantojë asgjë. Kemi shembuj sa të doni”, ka deklaruar ai duke marrë shembull rastin e Ukrainës dhe të Bosnjës.
Sipas Baraliut, Asociacioni noton jashtë Kushtetutës së Kosovës. “Krijon djep tjetër kushtetues-juridik”, ka thënë ai. “Është e rrezikshme e dëmshme dhe e papranueshme për Kosovën, sepse cenon jo vetëm funksionalitetin por rrezikon qenësinë e tij”.
Edhe
Baraliu: Nëse Kosova pranon këtë draft të Asociacionit, cenon shtetësinë e saj
Pavarësisht që e ka cilësuar si çështje që po servohet si “merre ose lëre”, Baraliu ka thënë se Kosova duhet t’i ketë rezervat deri të publikohet teksti.
Baraliu ka shtuar se edhe qasja e Qeverisë në dialog ka qenë e gabuar “duke rezistuar njëherë jo, jo, jo e pastaj po, po, po”. Ai ka thënë se Qeveria Kurti po pranon Asociacionin “që ia la si patate të nxehtë qeverisja e kaluar”.