Me mbeturina të shumta dhe erë aspak të këndshme përballen çdo ditë banorët e lagjes “Dardania”.
Bashkëjetesa me këta kontejnerë në lagjen më të populluar në kryeqytet, nuk është aspak e lehtë.
Ka kohë që në parkingun e një pjese të Dardanisë po qëndrojnë kontejnerët që çdo ditë stërmbushen.
Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi” thotë se kompania e pastron çdo ditë këtë pjesë, por qytetarët shpesh janë të papërgjegjshëm dhe i hedhin në vend jo të duhur ato. Qytetarët e kësaj lagje ndihen të zhgënjyer me këtë imazh të lagjes.
Qytetarët janë ankuar edhe për faktin se ka pak kontejnerë derisa ata ekzistues nuk po futen në vendin e dedikuar për to derisa e kanë zënë një pjesë të parkingut.
Zyrtarët e komunës nuk janë paraqitur për të treguar pse kontejnerët nuk janë vendosur në vendin e vet.
Ndryshe, në shkurt të këtij viti kjo zonë e kontejnerëve ishte përfshirë nga flakë të mëdha, me ç’rast edhe 11 vetura u dëmtuan, 4 prej të cilave u dogjën tërësisht.
Që nga ajo kohë komuna e ka akuzuar “Pastrimin” për shantazh të punës derisa kjo kompani është ankuar se komuna nuk bashkëpunon me ta për asgjë.