Arbëri

Banorët e Shipitullës, mes pluhurit dhe zhurmës së ekskavatorëve

Banorët e mbetur të fshatit Shipitullë të Obiliqit po ankohen për zhurmë e pluhur, që po ua shkaktojnë ekskavatorët e KEK-ut. Ata thonë se punimet në mihjen sipërfaqësore ku po nxirret thëngjill u kanë nxjerrë telashe të mëdha dhe nuk u kanë lënë opsione për jetë në atë fshat. Kësisoj, banorët me urgjencë po kërkojnë nga Qeveria që t’u gjejë zgjidhje për shpërngulje nga aty

Derisa jashtë shtëpive po u cenohet ajri i pastër, brenda tyre po u cenohet edhe qetësia. Jetesa mes pluhurit e zhurmës është bërë e papërballueshme. Këto janë halle që tash e një kohë nuk marrin fund për banorët e mbetur të fshatit Shpitullë të Obiliqit. Mihja e Korporatës Energjetike të Kosovës prej ku po nxirret thëngjill u ka shkaktuar dëme të mëdha fshatarëve të cilët nuk u përfshinë tërësisht në projektin e shpronësimit. Ata kanë disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës, por ajo që duan t’u realizohet me ngulm është shpërngulja nga fshati. Realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për nevoja të KEK-ut kishte përfshirë shpronësimin e një pjese të madhe të fshatit Shipitullë. Por, shpronësim të tërësishëm po kërkon edhe pjesa tjetër e mbetur. Banorët thonë se shteti ua shpronësoi 95 për qind të pronave dhe se ua ka lënë vetëm shtëpitë pa vlerë. Kësisoj, duke u bazuar në nenin 18 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, ata po kërkojnë kompensim për humbjen e vlerës dhe zgjidhje nga Qeveria për banim të përhershëm në një vend tjetër.

Nexhmedin Mjekiqi, banor i fshatit, thekson se zgjidhja e vetme për ta do të ishte shpërngulja dhe këtë mundësi e kërkojnë sa më parë nga Qeveria.

“Kërkesa jonë jetike është që fshati të shpërngulet, sepse nuk ka kushte për jetë më këtu. Shkolla është e mbyllur, ambulanca është e mbyllur, nxënësit nuk vijojnë më këtu mësimin, kështu që ky fshat e këto shtëpi këtu kanë ngelur pothuajse të vdekura”, thotë Mjekiqi.

Apel të njëjtë ka edhe kushëriri i tij Hafir Mjekiqi, i cili thotë se i ka ardhur fundi jetës në pluhur dhe zhurmë.

“Zhurmë, gazep, pluhuri si të çohesh në mëngjes nuk mundesh as teshë me gjetë, as kurrgjë prej pluhurit dhe bërllokut. Ne po kërkojmë me u zhvendosë krejt prej këtu, sepse nuk jetohet më këtu, nuk jetohet”, thotë ai.

Thonë se krismat dhe rrapëllimat e ekskavatorëve të KEK-ut po i lënë pa gjumë edhe natën. Ata pretendojnë se makineria e rëndë jashtëligjshëm po afrohet edhe më tej afër shtëpive duke shkelur edhe vijën kufitare të sigurisë. Për këtë çështje Koha ka nisur pyetje edhe në drejtim të KEK-ut, por nuk ka marrë përgjigje.

Banorët e Shipitullës dhe të Hades kishin pranuar shpronësimin ndër të tjera me kushtin që atyre t’u jepej përparësi në punësim në mihjen e KEK-ut. Për këtë çështje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte formuar edhe një komision, por banorët thonë se i njëjti nuk e plotësoi këtë kusht.

“Sipas marrëveshjes që kemi pasur me kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinaj, Shipitulla dhe Hadja kanë pasur mundësinë t’i punësojnë 100 veta, por ajo ka mbetur në letër sepse në praktikë nuk ka ecë. Tani të rinjtë dhe të rejat tona kanë ngelur rrugëve, kanë ngelur pa punë”, shton Mjekiqi.

Për jetësimin e listës së punësimit dhe shpërnguljen e tërë fshatit banorët thonë se do t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës.

“Ne do të bëjmë kërkesë, do ta ripërsërisim kërkesën dhe të shohim se tani Qeveria që është aktive çka do të bëjë, a do të merret me këto hallet tona apo jo. Shpresojmë që do të merret e të na bëjë një zgjidhje”, ka thënë Nexhmedin Mjekiqi.

Por, nga e enjtja, Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kohës lidhur me këtë çështje.