Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorët e Orllanit “të rrethuar nga uji” e pa ujë të pijes

Hajriz Latifi jeton pak metra larg liqenit të Batllavës, megjithatë ujin e pijes e siguron nga pusi.

Thotë se tashmë është plakur dhe se kjo mënyrë e të marrit ujë është shumë e lodhshme për të.

Fshati Orllan, ndonëse është i rrethuar nga uji, nuk e ka ende rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit. Mungesa e ujit në këtë fshat po iu shkakton probleme edhe bizneseve.

Në komunë thonë se në bashkëpunim me Ujësjellësin Rajonal Prishtina dhe Ministrinë e Mjedisit, do të ndërtojnë ujësjellësin për këtë fshat. Dita Botërore e Ujit pa ujësjellës i gjen edhe banorët e komunës së Fushë Kosovës.

Gjysma e qytetit të Fushë Kosovës nuk është e kyçur në fabrikën e ujit në Shkabaj, për shkak të një gypi prej 2.5 km që kushton rreth 600 mijë euro.

E në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit thonë se janë duke punuar në drejtimin e sigurimit të mjeteve financiare për ta blerë këtë gyp dhe në momentin e sigurimit, ujësjellësi e ka bërë gati projektin për ekzekutim, pasi që bëhet fjale për shumën e papërballueshme për ujësjellësin.

Ujësjellësi ka kërkuar ndihmë financiare edhe nga Qeveria e Kosovës, ku disa javë më parë kanë dërguar kërkesën e dytë të radhës në MZHE dhe MF, por që ende nuk kanë kthyer përgjigje. Gjatë ditës, edhe Televizioni ka kërkuar përgjigje nga këto ministri por nuk kanë kthyer përgjigje.

Artikuj të ngjashëm