Arbëri

Banorët e Matit 1 protestojnë të hënën për shumë probleme

Banori i lagjes Mati 1, Dren Shahini, ka njoftuar se të hënën do të protestojnë në shenjë pakënaqësie me moskujdesin e komunës ndaj kësaj lagje, dhe problemet e mëdha me të cilat ballafaqohen banorët.

Ai në emisionin “038” thotë se përmes kësaj proteste ata do të adresojnë një numër të madh të problemeve, me të cilat ata po ballafaqohen çdo ditë.

Shahini ka thënë se protesta do të mbahet të hënën në ora 18:00 dhe do të jetë paqësore.

“Ne do e bllokojmë rrugën, ne jemi duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe jo për bllokim”, ka shtuar ai.

Një nga problemet të cilat do të adresohen, sipas Shahinit, është edhe nivelizimi dhe shtrimi i rrugës “Muharrem Fejza”.

Sipas tij, kjo rrugë është dëmtuar nga lejet komunale të cilat janë dhënë për kompanitë e ndërtimit.

“Komuna i ka harrnuar disa herë gropat. Ne e kemi parë se trashësia e rrugës është vetëm sa një telefon i mençur”, ka thënë ai.

Ai thotë se mosmirëmbajtja e rrugës është pjesë kryesore e problemeve, pasi sipas tij, nga pluhuri i madh, qytetarët e kanë thuajse të pamundur lëvizjen.

Ai tutje shton se kanë adresuar disa herë kërkesa edhe për masat anti-parking, por që sipas tij, asgjë nuk është bërë.

Ai thotë se komunarët me vite nuk kanë qenë të pranishëm në tubime publike për të dëgjuar hallet e banorëve.

“Në lagjen tonë prej korrikut 2016 nuk ka qenë asnjë zyrtar komunal. Ne po flasim për debate me qytetarët. Më shumë na vizitojnë zyrtarët qendrorë se sa komunarët. Nëse kërkesa tona nuk trajtohen, ne do të ndjekim hapat tjerë”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka thënë se edhe sinjalizimi dhe ndriçimi i rrugës është problem mjaft i madh i lagjes.