Qytetarët e lagjes së Muhaxherëve dhe asaj të Kodrës së Diellit po ankohen për ndalje të shpeshta të furnizimit me ujë, teksa thonë se kjo vjen si pasojë e kyçjes së objekteve të reja në rrjetin e ujësjellësit. Ankesa për mungesë të ujit patën edhe dje, derisa Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës tha se arsye ishte dëmtimi i gypave. Sipas kësaj kompanie, ndërprerjet do të varen nga zhvillimi i mëtejshëm urbanistik i qytetit.
Gjatë ditës së enjte, ujë nuk pati te lagjja e Muhaxherëve e në Kodër të Diellit. Derisa sipas ujësjellësit, ndërprerja ndodhi si pasojë e dëmtimit të gypave, banorët tregojnë se një gjë e tillë u ndodh jo rrallëherë.
Sipas banorëve, ndërprerja e ujit vjen shpesh si pasojë e kyçjes së ndërtuesve të shumtë të kësaj lagjeje në rrjetin e ujësjellësit.
“Brenda javës gjithsesi që e ndërpresin ujin, me siguri këto ndërtimet, mandej problemet. Pastaj kur e thërrasim ujësjellësin thonë gypat. Kështu që gjithmonë është problem i përditshëm”, thotë një qytetare. Ndërsa një tjetër ka thënë se “kur ka raste të ndërtimit të ndërtesave ndërpritet gjatë instalimit të kabllove, si për ujë, si për instalim të rrymës”.
Nga ana tjetër ujësjellësi e ka mohuar se ndërprerja e ujit gjatë së enjtes në këtë lagje ka ndodhur për shkak të lidhjes së ndërtesave në rrjet.
KRU Prishtina ka shtuar se ndërprerjet e mëtejshme varen nga zhvillimi urbanistik i lagjeve.
“Për shkak të ngarkesave të mëdha në rrugë ka ndikuar edhe dje rrjedhja në linjë, me ç’rast ekipet e operimit dhe mirëmbajtjes kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për përmirësimin e defektit, duke e treguar përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm për kryerjen e punimeve sa më shpejt të jetë e mundur, vetëm e vetëm që konsumatorëve të lagjeve “Kodra e Diellit” dhe “Lagjja e Muhaxherëve” të mos u mungojë uji për kohë të gjatë. Po ashtu, ua bëjmë me dije që punimet e djeshme nuk kanë të bëjnë fare me asnjë kyçje, siç është potencuar në pyetjen tuaj. Për shkak të zhvillimeve urbanistike nga Komuna e Prishtinës, ditë më parë kemi qenë të detyruar të bëjmë dislokimin e linjës, me ç’rast edhe konsumatorët kanë qenë të njoftuar për punimet në fjalë. Se a do të ketë punime të tilla të tjera të planifikuara apo edhe të paplanifikuara varet nga zhvillimet urbanistike të Komunës, por edhe defektin e ndonjë linje që mund të ndodhë, për shkak të ngarkesave të mëdha në rrugë, që ne realisht nuk mund ta dimë, dhe ajo çfarë ne e dimë me saktësi është që intervenimi i ekipeve tona teknike si çdoherë do të jetë i shpejtë. Si ofrues i shërbimeve për ujë dhe kanalizim, për të drejtat dhe përgjegjësitë tona, mund t’iu referoheni rregulloreve të ARRU-së (Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit)” , thuhet në përgjigjen e Ujësjellësit.
Ndërkohë, Rregullorja për Ndërprerje të Shërbimit me Ujë specifikon se për ndërhyrje operacionale lajmërimi i konsumatorëve bëhet tri ditë para ndërprerjes së furnizimit.