Shumë qytetarë të Prishtinës kalojnë përmes kësaj rruge të improvizuar, çdo ditë.
Këtë shkurtesë ata e shfrytëzojnë për të dalë në qendër të qytetit, por problemet për ta kaluar atë janë të mëdha, raporton KTV.
Sipas tyre, kjo situatë është alarmante dhe një intervenim i Komunës është më se i nevojshëm.
Banorë e qytetarë, frekuentues të shpeshtë të kësaj pjese, ndonëse janë të paktë që prononcohen para kamerave, thonë se komuna duhet të ndërmarrë masa në rregullimin e kësaj pjese dhe se kjo pjesë paraqet rrezik për ta.
Zyrtarë komunalë, lidhur me këtë çështje, përmes telefonit, i kanë thënë KTV-së se përgjegjësia kryesore bie mbi “Infrakosin”.
Nga Komuna e Prishtinës, po ashtu, thonë se kjo pjesë është improvizuar nga qytetarët për ta kaluar rrugën dhe se “Infrakos-i” duhet ta sigurojë dhe rrethojë atë me barriera sigurie.
KTV-ja ka pyetur për këtë edhe zyrtarë të “Infrakosit”, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.