Banorët e fshatit Begracë të Komunës së Kaçanikut me vetëfinancim në vlerë prej afro 2 mijë eurosh e kanë ndërtuar ndriçimin publik. Mirëpo që nga muaji qershor KEDS-si ende nuk ua ka bërë kyçjen, megjithëse Komuna ua kishte dhënë pëlqimin banorëve që ta realizojnë këtë projekt sipas standardeve.
Banorët po ankohen se Komuna dhe KEDS-i nuk po gjejnë mirëkuptim duke ua hedhur fajin njëra-tjetrës shkaku i vendosjes së një njehsori për kyçje, shkruan KOHA.
Shkumbim Luzha, banor i këtij fshati, ka thënë se projekti është realizuar nga një kompani profesionale, ndërkohë ekipet e KEDS-it dhe të Komunës kanë konstatuar se mund të bëhet kyçja, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Luzha tha se së paku gjashtë herë ka bërë kërkesa zyrtare në Komunë dhe në KEDS.
“Në bazë të asaj që ne e kemi bërë kërkesën, Komuna e bart përgjegjësinë për pagesat e dritave. Ose e kanë ndonjë borxh Komuna ndaj KEDS-it, ose ata nuk dëshirojnë të vijnë, sepse çdo punë që është bërë nga fshati gjithmonë neglizhencë ka qenë nga KEDS-i”, ka thënë Luzha.
Edhe bashkëfshatari i tij, Fahri Luzha, ka thënë se shkaku i vendosjes së njehsorit institucionet përkatëse ende nuk e kanë kyçur ndriçimin publik, megjithëse kanë bërë kërkesa zyrtare në komunë dhe KEDS.
“Ndriçimin publik e kemi bërë me vetëfinancim, por nuk kanë ardhur ta lëshojnë rrymën vetëm shkaku i vendosjes së një njehsori që është kompetencë e KEDS-it dhe Komunës, përkundër kërkesave që i kemi bërë me shkrim dhe me gojë. Bash para një jave kemi kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës dhe më ka premtuar se brenda ditës do ta zgjidhim problemin, mirëpo s’ka lëvizur asgjë pozitive”, ka thënë Fahri Luzha.