Kushdo që e hap derën e një “furre Ballkani” në Ravensburg merr një përshëndetje të vërtetë ballkanase – nga byreku e deri te krempitja.
Në fund të korrikut, Imrane Baftiu e hapi një furrë në një qytet me rreth 50 mijë banorë në jug të Gjermanisë. Deri tash gjithçka ka ecur mirë.
“Qëllimi im është që të krijoj një vend ku njerëzit të ndihen rehat”, ka thënë 42-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve. “Është e njëjtë si në vendlindjen time”, ka thënë Baftiu, prindërit e së cilës patën shkruar në Gjermani nga Kosova për punë.
Oferta përfshin edhe qebapë e shujta të tjera nga shtetet e Ballkanit. Në Ravensburg, duan të kombinojnë Ballkanin me Gjermaninë – specialitetet tradicionale të familjeve dhe klasiket gjermane. Prandaj në këtë furrë ofrohen edhe produkte nga mielli integral dhe lloje të ndryshme të produkteve tradicionale të furrës gjermane.
“Ka gjithçka për këdo këtu”, ka thënë ajo.
Furrat nga Ballkani tashmë janë bërë pjesë e hapësirave urbane në shumë qytete.
“E kemi vënë re se shumë e më shumë furra janë nga Ballkani”, ka thënë Frank Sauter, drejtor i Shoqatës së Furrtarëve Profesionistë në Baden-Wurttemberg. Ka edhe furra turke.
Nuk dihet saktësisht se sa furra ballkanase janë aktualisht në Gjermani. Ato nuk ndahen në kategori të tjera statistikore. Gjithsesi, ajo që dihet, siç shkruan DW, është se numri i tyre po rritet dhe madje kanë marrë hov në zhvillim edhe jashtë qyteteve të mëdha.
Për ekspertin e çështjeve kulturore, Gunther Hirschfelder nga Universiteti i Regensburgut, trendi nuk është aksidental. Ai ka thënë se oferta e Ballkanit është gjithnjë e më e pranishme dhe për disa arsye.
“Vende të shumta ku dikur ndodheshin furra tradicionale, po boshatisen. Në të njëjtën kohë zakonet e të ngrënit po ndryshojnë”, ka thënë ai.
Sipas tij, shujta të mëdha e klasike po e humbin rëndësinë e tyre, ndërsa ato që janë messhujtë janë në kërkim.
“Furrat e Ballkanit po e mbushin këtë boshllëk. Nuk janë vetëm furra klasike, por edhe vende që u përshtaten zhvillimeve të kulturës së ushqimit të shpejtë”, ka thënë ai.
Lokacionet janë po ashtu çështje e rëndësishme. Shumë furra tradicionale gjermane po kanë telashe me kostot e rritura dhe mungesën e punëtorëve. Në të njëjtën kohë, më shumë hapësirë biznesi po lihet e lirë në qendër të qytetit, ka thënë Hirschfelder.
Ai ka vënë theksin edhe te ndryshimet në shoqëri. Tashmë në Ballkan imazhi i ballkanasve ka ndryshuar.
“Rajoni është lidhur qe një kohë të gjatë me përfaqësim negativ. Ndërkohë, Ballkani është bërë më i afërt me njerëzit, gjeografikisht, në turizëm e në kulturë”, ka thënë ai.
Kroacia tashmë është destinacion turizmi, ndërsa edhe qytete të tjera tërheqin vizitorë. Shqipëria po vazhdon të zbulohet nga turistët po ashtu.
Në të njëjtën kohë, shumë njerëz nga ky rajon tashmë kanë bërë jetë të gjatë në Gjermani. Gjeneratat e dyta dhe të treta po rriten aty, duke nisur punë e duke hapur biznese dhe duke çuar kulturën e ushqimit të tyre në qendra të qytetit.
Ballkani po pranohet si pjesë e rëndësishme e Evropës, sipas vlerësimit të tij. Kjo e ka ndryshuar edhe sjelljen karshi produkteve të këtij rajoni. Për shumë klientë, shujtat nuk janë më vetëm ekzotike. “Është diçka që e shohin në pushime, nga familjet e nga miqtë”, ka thënë ai.
Për furrat tradicionale gjermane, ndryshimi po vjen me pasoja. Zauter nga Shoqata e Furrtarëve ka thënë se oferta shtesë po tërheq “rreth tjetër të klientëve”.
Në të njëjtën kohë, ai ka pranuar se këtyre klientëve edhe pse blejnë në furrat ballkanase mund t’u mungojnë furrat gjermane. Furrat nga Ballkani janë në garë në treg. Dallimet megjithatë ekzistojnë. Sipas tij, furrat tradicionale gjermane zakonisht kanë më shumë produkte, më shumë lloje bukësh e më shumë zgjedhje ëmbëlsirash. Kur vjen puna te çmimet, Sauter nuk sheh avantazh te ballkanasit.
Aktualisht, furrat e Ballkanit përfaqësohen pak në shoqatat e furrtarëve. “Është e turpshme që kaq pak na bashkohen neve”, ka thënë ai.
Edhe Shoqata Qendrore e Furrtarëve Gjermanë nuk mendon se furrat nga Ballkani po ua kalojnë atyre tradicionale.
“Të dyja llojet e furrave mund të qëndrojnë njëra krah tjetrës”, kanë thënë nga kjo shoqatë.