Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ballazhi fajësohet se finalizoi kërkesën e banorëve për shtrimin e rrugës në fshatin e tij

Nisja e punimeve për shtrimin e asfaltit në rrugën që çon drejt një numri të vogël shtëpish në fshatin Pustenik të Hanit të Elezit është bërë shkak për kritika ndaj kryetarit të Komunës, Mehmet Ballazhi. Për të, në opozitë thonë se i ka dhënë prioritet rrugës pasi që aty ndodhet edhe shtëpia e tij. Për asfaltimin e saj, banorët patën paraqitur kërkesë qysh në vitin 2018

Një kërkesë që i ishte përcjellë Komunës së Hanit të Elezit në vitin 2018 për shtrimin e rrugës drejt një numri të vogël të shtëpive në lagjen “Ballazh” të fshatit Pustenik ka nisur të jetësohet nga ky fillimdhjetor.

Këtë kërkesë e patën adresuar pronarët e shtëpive të lagjes, mes të cilëve është edhe kryetari aktual i komunës, Mehmet Ballazhi.

Nga katër fshatra, për të cilat ishin planifikuar ndërtime dhe asfaltime rrugësh me buxhetin e 2021-s, të miratuar nga qeverisja e shkuar, kontrata prej rreth 60 mijë eurosh u finalizua më 22 nëntor vetëm për lagjen “Ballazh”. Kjo nxiti reagime nga opozita.

Menduh Vlashi, kryetar i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Han të Elezit, e kritikoi kryetarin Ballazhi se i ka dhënë prioritet rrugës, ngase aty ndodhet shtëpia e tij.

“Në buxhetin që është miratuar në qeverisjen e kaluar ka qenë në vijë buxhetore shtrimi me kubëze ose asfaltim i lagjeve në zonat rurale dhe urbane dhe kryetarët i kanë çuar aty ku ua ka marrë mendja. Edhe ky e ka çuar ku ia ka marrë mendja, te vila e tij”, ka deklaruar Vlashi.

Edhe Basha viziton punimet në një rrugë në Ferizaj, thotë se Komuna ende s’i ka ndarë mjetet që obligohet Arbëri Basha viziton punimet në një rrugë në Ferizaj, thotë se Komuna ende s’i ka ndarë mjetet që obligohet

Por Ballazhi thotë se projekti ka marrë prioritet, shkaku i kostos më të ulët, krahasuar me rrugët e tjera që ishin në plan.

“Ajo rrugë është kërkesë e banorëve, e qytetarëve që nga viti 2018. Pra, një nga banorët e asaj pjese jam dhe unë, por nuk është rruga që është paraparë për te villa e kryetarit”, është shprehur Ballazhi.

Kërkesën e paraqitur nga banorët më se katër vjetëve më parë e ka konfirmuar edhe menaxheri i projekteve, Durim Dernjani.

“Kjo ka qenë prioritet sepse kërkesa është bërë në vitin 2018. Nuk kam ndonjë kërkesë tjetër unë në zyrën e urbanizmit që e kam prej banorëve të tjerë për ta bërë një rrugë tjetër”, ka deklaruar Dernjani.

Këtë e pranoi edhe ish-kryetari i komunës, Rufki Suma. Ai thotë se gjatë qeverisjes së tij, projekti nuk ka mundur të konkretizohet, pasi rruga ishte pronë private e familjes Ballazhi dhe se kërkesa e tij për shndërrimin e saj në pronë publike, me nënshkrimet e banorëve, nuk ka marrë përgjigje.

“Ju mundeni me hy në çdo mbledhje të kuvendit, kur po ky Mehmet Ballazhi, ka qenë këshilltar komunal dhe prej meje ka kërkuar: ‘Kryetar kur do të shtrohet rruga e Ballazhve’ dhe unë i jam përgjigjur: “Atë ditë që ju do t’i sillni nënshkrimet dhe rrugën ta shndërroni në rrugë publike, rruga do të shtrohet’”, është shprehur Suma.

Edhe LVV-ja kundërshton dhënien në shfrytëzim të pronave pranë spitalit në Ferizaj Arbëri LVV-ja kundërshton dhënien në shfrytëzim të pronave pranë spitalit në Ferizaj

Kjo lagje, sipas ish-kryetarit të fshatit Pustenik, Fadil Brava, tani nuk ka banorë të përhershëm.

“Kjo është lagjja e Ballazhve dhe kryetari është nga këtu, e ka edhe vilën e tij. Nuk banojnë të përhershëm, vilat i kanë ndërtuar që nga pas lufta”, ka theksuar Brava.

Krahas kësaj rruge, në planifikimet buxhetore të 2021-s për ndërtime e shtrim të rrugës ishin përfshirë edhe tri fshatra të tjera. Për njërin prej tyre, financimi është bërë tanimë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, teksa për dy të tjerat ende nuk është realizuar as faza fillestare tenderuese.