Arbëri

Bala tregon pse PSD-së s’i takon hise në fondin për subjektet politike në KQZ

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Nazlie Bala, thotë se zhbllokimi i këtij institucioni pas më shumë se një viti nga presidenti Hashim Thaçi, është hap i mirë në aspektin kushtetues, por, Thaçi e kishte obligim këtë dhe nuk do të duhej të binte në presionin e ndërkombëtarëve.

Në Intervistën e Javës në Koha.net, Bala tha se me të përfunduar zgjedhjet nacionale të vitit 2017, skena politike në vend ndryshoi dhe solli tri grupet më të mëdha parlamentare.

“Në përfundim të certifikimit të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, dhe jo vetëm, në vazhdimësi ka adresuar çështjen e emërimit dhe dekretimit të anëtarëve të rinj në KQZ. Ky dekretim ishte obligim kushtetues i presidentit Hashim Thaçi sepse KQZ-ja është njësi kushtetuese”, tha ajo.

Kujtojmë se vetëm një ditë pas kërkesës eksplicite të Ambasadës së SHBA-së për zhbllokimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dekretoi anëtarët e rinj. Por, ndikimi e presidentit nga presioni i Bashkimit Evropian, për Balën nuk ishte i duhuri.

“Mendoj që nuk do të duhej që presidenti i vendit të zhbllokojë KQZ-në vetëm përmes një presioni ndërkombëtar, sepse ai ka obligime kushtetuese dhe është neni i cili e shpjegon qartë procedurën se kush duhet t’i dekretojë anëtarët e KQZ-së. Por, mirë që ishte edhe një presion ndërkombëtar, por megjithatë, presidenti s’do të duhej të binte në presion të askujt”, tha ajo.

Bala tha se përbërja e re e KQZ-së është kushtetuese sepse grupeve më të mëdha parlamentare u takojnë nga 2 anëtarë dhe secili prej tyre është në frymën e mbrojtjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Atmosferën me përbërjen e re në KQZ, Bala thotë ta ketë parë të mirë dhe pritet të ketë bashkëpunim me të gjithë anëtarët, pavarësisht cilës parti i takojnë.

Ka folur edhe për ankesat që tashmë AAK-ja, Nisma e PSD-ja i kanë pasi mbetën pa anëtarë në KQZ, e çështjen, kanë paralajmëruar ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Bllokimi i KQZ-së erdhi nga tendenca për pazare të ndryshme. Është çështje e PAN-it se kë do ta emërojnë në KQZ”, tha ajo.

Bala: PSD-së nuk i takon hise nga fondi në KQZ

Ditën kur u dekretuan tetë anëtarët e rinj në KQZ, të udhëhequr nga kryetarja Valdete Daka, kanë mbajtur mbledhjen e parë ku u miratua vendimi për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2019. Kujtojmë se ky fond përfshin 4 milionë e 200 mijë euro në total, të cilat do t’u ndahen subjekteve politike, por jo edhe Partisë Socialdemokrate.

Koalicioni PAN, me të gjitha partitë tjera të vogla, ka më shumë se 1 milion e 228 mijë euro, Lëvizja Vetëvendosje 1 milion e 8 mijë euro, e pasuar nga LDK-ja, me më shumë se 900 mijë euro.

Edhe Bala sqaroi se pse nuk i takon hise PSD-së.

“Fondet i kemi të garantuara si LVV sepse në zgjedhje kemi garuar vet. Nuk ka asnjë praktikë kurrkund në botë që ka raste të tilla siç po pretendojnë disa të PSD-së për marrjen e buxhetit. Përndryshe, do të duhej që secili individ të garojë i vetëm në zgjedhje dhe në fund të ketë hise. Ndarja e buxhetit është legjitime dhe askush s’ka të drejtë që këtë buxhet ta shoh në mënyrë të paligjshme”, tha ajo.

Sa i përket ligjit i cili është në procedurë për ridizajnimin e mënyrës së ndarjes së fondeve, ka thënë se LVV-ja përmes një seance parlamentare ka ngritur shqetësimin e vet.

“Nëse marrim për bazë komisionin e Venecias dhe rekomandimin e tyre, në asnjë nen nuk parasheh që buxheti të ndahet në formën siç kërkon PSD-ja. PSD-ja për t’i bërë pazare edhe më tutje kësaj Qeverie që tashmë është në ikje, është munduar që këtë nen të veçantë ta shtyjë përpara përmes votimit për ndarjen e fondeve, që edhe nëse del si grup i veçantë të ketë të drejtë në buxhet. Burim i legjitimitetit të këtij fondi është pikërisht certifikimi i zgjedhjeve”, tha Bala për Koha.net.

Bala: Po, gratë duhet të vendosin për ndryshime të mëdha në vend

Angazhimi politik i Nazlie Balës, në përgjithësi është i lidhur me emancipimin e gruas. Ajo, shkurtimisht bëri një pasqyrë të ndryshimeve kryesore të angazhimit të gruas në politikë në Kosovë gjatë këtyre viteve.

“Është për t’u admiruar pjesëmarrja e grave dhe vajzave në procese të ndryshme politike. Ky admirim lidhet përmes angazhimit konkret në fushë-veprimtari të ndryshme. Qëllimi ynë është ta përmirësojmë pozitën e gjendjes së grave dhe vajzave. Lëvizja Vetëvendosje e ka të rëndësishme angazhimin e grave dhe vajzave”, tha ajo.

Në KQZ, për 20 vite sa ekziston, tha Bala, është hera e parë që një subjekt politik emëron një grua si kandidate potenciale.

“Me këtë kemi dashur ta dëshmojmë se ne nuk e shohim gruan vetëm si pjesëmarrëse në votim dhe kur s’e shohim të tillë, ne i shohim si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në zhvillimin e demokracisë”, tha Bala.

“Gratë dhe vajzat kanë potencial dhe kapacitete. E këtë duhet ta vëmë në interes të vendit duke i parë edhe si faktor e aktore të determinimit të proceseve të ndryshme në vend. Po, gratë duhet të vendosin për ndryshime të mëdha në vend”, tha ajo.

Angazhimin e grave dhe vajzave, Bala thotë se LVV-ja e ka agjendë politike por edhe synim e qëllim që pjesëmarrjen e tyre ta shtyjnë përpara që ato të ndihen të barabarta në çdo proces politik.