Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se formimi i një qeverie transicionale është e vetmja zgjidhje për zhbllokimin e situatës dhe formimin e institucioneve për një afat të caktuar.
Sipas Bajramit, do duhej që partitë të bëheshin bashkë dhe të adresonin problemet e shumta të qytetarëve, veçanërisht ato të sektorit të energjisë.
“Po shihet kush po bllokon. Kur nuk i kanë numrat, si rasti i Vetëvendosjes, nuk mund të diktosh mënyrën e të tjerëve se si propozojnë të zhbllokohet formimi i institucioneve. Qeveria transicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor. Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin. Besojmë se, për momentin, e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet. Nga 1 qershori, 1270 kompani dalin në tregun e hapur të energjisë, me vendim të ZRRE-së dhe kjo është fatale. Ky është anashkalim i problemeve të qytetarëve që po bëjmë nga kjo sallë, veçanërisht me vetëvendosjen e cila po insiston ta bëjë Haxhiun kryeparlamentare”, ka thënë ajo.
Ajo i është përgjigjur edhe deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, që e akuzoi LDK-në se po frikësohet të hyjë në pushtet qoftë me VV-në apo me opozitën.
“Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët për definicionin e frikës. Nëse do të ishim të interesuar për pushtet, do të hynim në koalicion me VV-në. Nuk është frikë, është premtim që i kemi dhënë qytetarët. VV-ja e ka krijuar këtë hendek, që për momentin është i pakalueshëm”, ka shtuar Bajrami.
VIDEO: Deklarata e plotë
