Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që “i gjithë shteti të çohet në këmbë” derisa të gjenden dy vajzat e zhdukura në Pejë.
E.B., 19-vjeçare, nga fshati Qyshk, dhe L.N., 18-vjeçare, nga fshati Treboviç i Komunës së Pejës janë raportuar të zhdukura nga familjarët të premten e 23 shtatorit. Që atëherë, nuk ka ndonjë informacion në lidhje me fatin e tyre.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se kjo ngjarje po kalon pa shumë vëmendje dhe angazhim të institucioneve shtetërore.
“Sot një javë, dy studente nga Peja janë zhdukur. Vajzat sipas raportimeve kanë dalë nga shtëpitë e tyre fshati Qyshk e Treboviç dhe janë nisur për në Universitetin ''Haxhi Zeka'' në Pejë. Si nënë e dy vajzave ky lajm me ka tmerru dhe prej momentit që e kam dëgju nuk mendoj asgjë tjetër. Për çudi, kjo ngjarje po kalon pa shumë vëmendje, pa shumë angazhim të shtetit, të institucioneve shtetërore”, ka shkruar Bajrami.
Për këtë rast, Bajrami mendon se të gjitha hallkat e sigurisë së Kosovës do duhej të mbanin konferencë të përditshme.
“Në këtë situatë, ministri i Brendshëm, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Policisë bashkë me Shefin e AKI-së e edhe me Komandantin e FSK-së do të duhej të mbanin konferenca të përditshme. Për të treguar se çka po bëjnë institucionet për rastin. Kjo është ngjarje e dhimbshme. Jam e sigurt se derisa vajzat të gjenden për familjet dhimbja është me e rëndë se vdekja”, ka shkruar tutje ajo.
Bajrami u ka bërë thirrje të gjithëve “kudo që jeni të kontribuoni në zbardhjen e rastit”.
“Ndërsa, institucionet e shtetit, të gjitha bashkë edhe me mediat, të çohen në këmbë derisa të gjenden dy vajzat e zhdukura”, përfundon shkrimi i saj.