Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se shumica e anëtarëve të kryesisë së LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie, janë pro marrëveshjes për bashkëqeverisje me LVV-në.
Bahtiri, i cili vitin e kaluar iu bashkua zyrtarisht LVV-së nga AKR-ja, thotë se këto i ka mësuar gjatë kontakteve që ka pasur me shumicën e anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve të LDK-së.
Tutje, ai i ka bërë thirrje kreut të LDK-së, Isa Mustafës, që ta çojë në vend porosinë e partisë së tij dhe ta nënshkruajë marrëveshjen me LVV-në më së largu nesër.
“Isa Mustafa si kryetar i LDK-së duhet ta çojë në vend porosinë e partisë së tij në takimin që po zhvillon me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti. Për hir të qytetarëve dhe shumë proceseve që na presin, Isa Mustafa bën mirë që marrëveshjen ta nënshkruajë sot ose më së largu nesër, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç bërjes së koalicionit, por që kjo nuk duhet të prolongohet më shumë”, ka deklaruar Bahtiri në një postim në Facebook.
Por, LDK-ja ende nuk ka arritur ta unifikojë qëndrimin brendapartiak në relacion me ofertën e VV-së për koalicion qeverisës. Burime të portalit Koha.net brenda këtij subjekti bëjnë të ditur se në mbledhjen e fundit të kryesisë, nënkryetari Agim Veliu dhe anëtari i Kryesisë Skënder Hyseni kanë insistuar që të shikohen alternativa të tjera, duke mos e qartësuar se për çfarë bëhet fjalë.
Edhe
Çështja e presidentit futet në orët e fundit pa marrëveshje politike
Më tej, Veliu e ka konsideruar goditje ndaj LDK-së, seancën e 26 dhjetorit, ku pa marrëveshje paraprake, në krye të Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca i VV-së, post të cilin ka synuar ta marrë LDK-ja dhe e cila pavarësisht ambicies e ka votuar kandidaturën e Konjufcës.
Emërimi i tij në këtë post ka shuar shpresën e LDK-së që në këtë pozitë ta vendosë Vjosa Osmanin.
Ky subjekt, sipas burimit, ka planifikuar që në rast se do të realizohej ky plan, postin e zv/kryeministrit të Parë ta marrë Avdullah Hoti, me mbështetjen e Veliut. Por, sipas zhvillimeve aktuale, në rast se bëhet koalicioni, në këtë pozitë parashihet të jetë Vjosa Osmani, e cila gjithashtu mund ta marrë edhe timonin e Ministrisë së Jashtme.
Kurse Hoti është shprehur në favor të vazhdimit të bisedimeve me VV-në.
Edhe
LDK-ja sërish shqyrton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen
Por, një ditë më parë, kreu i VV-së, Albin Kurti nëpërmjet një videomesazhi ka bërë publik emrin e zv/kryeministrit të Dytë dhe pesë ministrave të mundshëm në kabinetin e tij. Në listën e ministrive, shihet se VV-ja ka hequr dorë nga Ministria e Brendshme, të cilën insiston ta mbajë LDK-ja, e në shkëmbim të kësaj ministrie, VV-ja ia ka marrë Ministrinë e Jashtme.
Pas takimit formal ndërmjet Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, i fundit ka dhënë një ultimatum 48 orësh që VV-ja ta nominojë kandidatin për kryeministër. Njohësit e aspekteve kushtetuese, kanë thënë se ligjërisht, presidentit të vendit nuk i takon të caktojë afate kohore për nominim e as të tentojë që çështjen e kandidatit për kryeministër ta adresojë në Kushtetuese.