Arbëri

Bahtiri i bashkohet PDK-së në meze e raki për Ushtrinë

Agim Bahtiri që po do ta bashkojë Mitrovicën përmes një peticioni me nënshkrime qytetarësh, u është bashkuar zyrtarëve e ish-zyrtarëve të PDK-së në festën me meze e raki për themelimin e Ushtrisë.

Bashkëvendasi i Bahtirit, Kadri Veseli, gati dy javë pas votimit në Kuvendin e Kosovës për transformimin e FSK-së në Ushtri, ka ftuar bashkëpartiakët e tij dhe ish-shefin e tij të partisë, Hashim Thaçin, që me shahirë e meze dhe raki, të festojnë për nisjen e këtij transformimi.

Në fotografi të publikuara në Facebook nga deputeti Bekim Haxhiu dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, shihet edhe Bahtiri i AKR-së.

Lladrovci në përshkrimin e fotografive ka shkruar: “Sonte, edhe Agimi...”.

Portali Koha.net ka provuar të marrë një sqarim nga Bahtiri për shkuarjen e tij në ndejën e PDK-së, por ka qenë i paqasshëm.