Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja kritikon Strategjinë e energjisë, e quan “strategji të thëngjillit”

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka kritikuar Strategjinë e energjisë 2022-2031, e cila të mërkurën është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Azemi ka thënë se ajo është strategji e thëngjillit dhe e mungesës së vizionit.

Azemi ka theksuar se Kosova në të gjitha krizat energjetike në dy vitet e fundit, që sipas tij kanë shkaktuar rritje të çmimit të energjisë elektrike, është futur pa pasur strategji të mirëfilltë.

“Një dokument tejet i rëndësishëm është hartuar në një proces tejet jotransparent dhe jogjithëpërfshirës. Është vitit i tretë që kanë filluar të merren më këtë dokument dhe tek dje e kemi parë të aprovuar me një shpejtësi të madhe”, ka theksuar Azemi.

Sipas tij miratimi siç ka thënë ai me urgjencë, i Strategjisë në Kuvend, është bërë për ta mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik.

Azemi ka thënë se Strategjia nuk e adreson problemin kryesor që është konstatuar brenda vetë dokumentit, e që sipas tij është shfrytëzimi i madh i energjisë elektrike për ngrohje. “Kjo është njëjtë sikur kur mjeku e bën diagnozën e një sëmundjeje por terapinë e jep për krejt diçka tjetër. Pra nuk ka seriozitet dhe nuk duhet të shkuar kështu. Nuk mund të kemi strategji të mirëfilltë të energjisë elektrike nëse problemin kryesor me energji nuk e trajtojmë si duhet”, është shprehur Azemi.

Edhe Azemi: Qeveria po i dëmton qytetarët me papërgjegjësi dhe mungesë veprimi Arbëri Azemi: Qeveria po i dëmton qytetarët me papërgjegjësi dhe mungesë veprimi

Ai ka thënë se siç po bëjnë vendet e Evropës, gazi edhe për Kosovën duhet të shihet si mjet tranzicioni për prodhim të energjisë elektrike dhe si një mundësi për të ndërtuar ngrohtore qendrore në qytetet e mëdha të Kosovës.

Sipas tij në këtë dokument strategjik, në vend se të orientohet nga energjia e gjelbër dhe e ripërtritshme, Qeveria ka vendosur të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm më thëngjill, siç ka thënë ai, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë.