Arbëri

Avokati i Popullit: Veprimet e menaxhmentit të Aviacionit Civil krijuan frikë

ap

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dhënë të drejtë 11 punëtorëve anëtarë të Sindikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil që janë ankuar për diskriminim nga menaxhmenti.

Në raport janë cituar nene të ndryshme të Kushtetutës për mbrojtjen nga diskriminimi dhe nene të lirisë së asociimit. Në gjetje thuhet se anëtarësia në Sindikatë nuk duhet të prodhojë pasoja të dëmshme te punëtorët, siç është largimi nga puna apo format tjera të presionit. Veprimet e udhëheqësisë së institucionit, sipas raportit të Avokatit të Popullit, pengojnë të drejtën e asociimit në Sindikatë.

“Veprimet e menaxhmentit të AAC-së ndaj zyrtarëve anëtarë të shoqatës sindikale përveç që kanë efekt negativ te ushtrimi i veprimtarisë sindikale, krijojnë frikë dhe pasiguri edhe te zyrtarët e tjerë dhe pengojnë lirinë e asocimit”, thuhet në raport.

KOHA ka raportuar se Sindikata e ka akuzuar drejtorin e AAC-së, Bujar Ejupi, për diskriminim, pasi në një trajnim për auditim rregullator ua kishte pamundësuar trajnimin dy zyrtarëve të sindikatës dhe ishte vendosur që atë ta ndiqnin zëvendësuesin e tij dhe një zyrtare administrative që punon me të.