Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i Popullit me bashkëpunëtorë vizitoi Shoqatën Down Syndrome Kosova

Në prag të Ditës Botërore Down Syndrome, Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, së bashku me dy Zëvendëset e tij, Edona Hajrullahu dhe Marija Raduloviq, si dhe bashkëpunëtorët tjerë, vizitoi sot Shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK), me seli në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite, Drejtoresha e DSK-së, Sebahate Beqiri, e njoftoi Avokatin e Popullit dhe bashkëpunëtorët e tij, për punën dhe misionin e organizatës, duke theksuar se përkushtimi kryesor i shoqatës mbetet mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të personave me këtë sindrom.

Ndërkaq, duke e falënderuar Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) për përkrahje, Beqiri shtoi se për personat e prekur nga Sindromi Down, mbeten ende sfiduese ofrimi i shërbimeve shëndetësore profesionale, gjithëpërfshirja në sistemin arsimor, si dhe integrimi i tyre përmes punësimit.

Avokati i Popullit, z. Jashari, duke e përgëzuar punën dhe kontributin e DSK-së, premtoi përkrahje të plotë të IAP-së në kuadër të nismave dhe aktiviteteve, që kanë për synim përmirësimin e gjendjes dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me Sindromin Down, si dhe kërkoj që fëmijët me aftësi të kufizuara të trajtohen në mënyrë të barabartë në procesin mësimore si dhe në funksion të zbatimit të legjislacionit që garanton shkollim gjithëpërfshirës,

Po ashtu gjatë takimit në të cilin ishin prezent edhe përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Avokati i Popullit, ndigjoi shqetësimet lidhur me dështimin në zbatimin e ligjeve të cilat i garantojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Gjatë vizitës, mysafirët u shërbyen me kafe, nga të rinjtë me sindromin Down, e që njëherësh punojnë si kamarierë në lokalin e hapur në kuadër të organizatës DSK.