Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.
Raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy raport është hartuar nga një organizatë e pavarur juridike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë angazhuar ekspertë britanikë me kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit, pas shqetësimeve për mos respektim të standardeve për të drejtat e njeriut.
“Duke i pasur të gjitha këto shqetësime, duke i pasur të gjithë këto vërejtje, dilema edhe duke mos marrë një përgjigje në mungesë të transparencës nga Gjykata, ne kemi angazhuar një autoritet të pavarur, neutral dhe profesional për të kryer një vlerësim preliminar mbi çështjet e identifikuara, ato shqetësime që ne i kishim ngritur edhe në takime edhe në letrat e dërguara ndaj kryetares së Gjykatës Speciale. Përzgjedhja e organizatës është bërë duke marrë në konsideratë kriteret që garantojnë ekspertizë profesionale, paanshmëri dhe integritet”, tha fillimisht Qelaj.
Ky raport është pranuar para tri ditëve nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ku Qelaj tha se konfirmon të gjitha shqetësimet e ngritura kohë më parë nga vet ai.
“Raporti konfirmon shqetësimet e ngritura, konstaton se këto shqetësime janë substanciale dhe mjaftueshëm serioze për të justifikuar shqyrtim të mëtejshëm institucional. Pra, fakti që raporti është preliminar nuk do të thotë që ka arritur të konstatojë shkeljet në mënyrë të faktuar por që shqetësimet i vërteton dhe për më tepër, në pikën 26 të raportit qysh në fillim raporti konstaton se mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe nuk është në frymën e pretenduar të pretendimeve nga raporti i Këshillit të Evropës”, ka deklaruar ai.
Me theks të veçantë në këtë raport përmendet çështja e kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit të të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen të Hagës.
“Sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes. Dhe për më tepër, raporti konstaton se lirimi në Holandë ku zhvillohet procedura penale nuk është i mundur. Duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve. Pra, edhe fakti që deri më sot ka pasur shumë pak lirime të parakohshme edhe pse kanë kaluar vite nga fillimi i procesit dhe nga momenti kur janë paraburgosur personat që janë atje, le të kuptosh që një pretendim i tillë jo vetëm që mund të ngritet si shqetësim por edhe mund të evidentohet si fakt konkret”, ka deklaruar ai.
Tutje, në konferencë për media, ai tha se raporti i ekspertëve britanikë tregon që mbikëqyrja sistematike e komunikimeve përbën ndërhyrje.
“Raporti tregon që mbikëqyrja sistematike për qëllime tjera përbën ndërhyrjen në nenin 8 dhe në përfundim raporti vlerëson se kjo kornizë krijon dyshime serioze për papajtueshmëri me nenin 5 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nenin 9 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Për ne kjo tregon që shqetësimet që i kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar por edhe përtej atyre shqetësimeve, sepse raporti natyrisht ka pasur mundësi të hetojë edhe më gjerë. Lidhur me juridiksionin, llogaridhënien dhe transparencën institucionale, raporti ngrit shqetësime serioze mbi mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional. Pra, evidentohen boshllëqe normative dhe procedurale në raport me llogaridhënien e gjykatës ndaj shteteve financuese dhe partnerëve ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Mes tjerash, raporti evidenton edhe deklaratat e prokurorit të Specializuar, Jack Smith, për dënim me burgim të përjetshëm të katërshes së UÇK-së pa filluar gjykimi.
“Raporti evidenton se deklaratat e atribuara të prokurorit, Jack Smith, përfshirë edhe kryetares së Gjykatës Speciale, ku theksohet dënimi me burgim të përjetshëm, për vitin 2021 dhe pastaj konstatimi që nëse lirohen këta persona mund të paraqesin janë rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim, konstatim nga vet nga kryetarja e Gjykatës, ngrenë shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe integritetin e procesit të lirimit të parakohshëm si dhe mungesën e transparencës procedurale”, tha Qelaj.
Raporti i ekspertëve britanikë flet edhe për pranimin e provave nga Serbia, për çka Qelaj para mediave tha se evidenton “pasiguri të konsiderueshme juridike”.
“Në raport me pranueshmërinë e provave, veçanërisht provave të pranuara nga Serbia, raporti evidenton pasiguri të konsiderueshme juridike. Qasja e pranimit të parakohshëm të provave dhe shtyrja e vlerësimit përfundimtar deri në gjykim përshkruhet si burim potencial i padrejtësisë procedurale dhe pasiguri për palët. Sa i përket provave me origjinë nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për qasje dhe zbulim të origjinës së materialeve mbesin pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik, përbën në vetvete shqetësim për transparencën, është konstatuar në raport. Lidhur me parimin e barazisë së armëve, raporti identifikon shqetësime paraprake që prekin efektivitetin e mbrojtjes, përfshirë kufizimet në vizita të privilegjuara, mungesën e hapësirës adekuate për përgatitje, zhvillimin e vonuar dhe të pjesshëm të provave, procedurat penale paralele dhe ndryshimet e njëanshme të sistemit të ndihmës juridike. Raporti vlerëson se këto elemente përbëjnë indikator serioz që kërkojnë analizë të mëtejme”, u shpreh ai.
Avokati i Popullit tha se mesazhi kryesor nga raporti është “nevoja për forcim të menjëhershëm të transparencës, llogaridhënies dhe mekanizmave të mbikëqyrjes së pavarur me qëllim të parandalimit të këtyre rreziqeve”.
“Raporti nënvizon se standardi relevant i vlerësimit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe jo praktikat potencialisht problematike të tribunaleve të tjera ndërkombëtare, që shumë herë janë përcjell me probleme serioze. Autorët e këtij raporti rekomandimin krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm, të pavarur dhe të financuar në mënyrë adekuate për monitorimin e vazhdueshëm të proceseve gjyqësore, kërkesë e parashtruar qysh nga viti 2021 prej Institucionit të Avokatit të Popullit dhe prej meje si Avokat i Popullit dhe monitorim duhet të jetë në mënyrë të vazhdueshme dhe me nivel të lartë profesionalizmi që do të mbikëqyrte gjykatën për efektshmëri dhe zbatim të standardeve me një mbikëqyrje të jashtme”, përfundoi ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se raporti do u dërgohet institucioneve vendore, misioneve diplomatike, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Ky raport i organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”, është kërkuar si shkak i shqetësimeve që ka ngritur Avokati i Popullit për respektimin e të drejtave themelore në kuadër të proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pas konstatimit për këto shkelje, Naim Qelaj tha se gjykata kishte qëndruar e heshtur dhe nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë përgjigje.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës. Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.