Arbëri

Avokati Hoti e sheh sfiduese përballjen juridike me ChatGPT-në

Avokati Veli Hoti e ka konsideruar sfiduese përballjen juridike me inteligjencën artificiale gjeneruese, ChatGPT.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Hoti ka thënë se ekspertët juridikë mund të hasin në vështirësi lidhur me të pasi robotët dhe teknologjia nuk gëzojnë të drejta të autorit për pronësi intelektuale dhe çdo gjë që është publike mund të përdoret përmes kësaj inteligjence artificiale.

“ChatGPT-ja është shumë sfiduese sidomos për ekspertët juridikë pasi në aspektin evropian dhe ndërkombëtar robotët, teknologjia nuk gëzon të drejta, po flasim për të drejtën e autorit, për pronësinë intelektuale që konsiderohen si pronë. Në momentin kur dikush krijon një produkt përmes ChatGPT-së, a do të mund ta mbrojë? Juridiksionet nuk e kanë të rregulluar legjislacionin sa i përket ChatGPT-së. Duhet pasur parasysh që çdo gjë që është publike përdoret përmes ChatGPT-së dhe nëse për qëllime shkencore dikush e përdor ChatGPT-në, ajo nuk është e besueshme profesionalisht”, ka thënë ai.

Sa i përket legjislacionit për të drejtat e autorit, Hoti ka thënë se Kosova e ka të kompletuar.

“Kosova e ka të kompletuar legjislacionin. E kemi Ligjin për markat tregtare, për patenta, për të drejtat e autorit dhe e kemi Ligjin për treguesin gjeografik. Tani e kemi edhe Ligjin për sekretet tregtare”, ka thënë ai.

ChatGPT është bashkëbisedues-robot i zhvilluar nga “Open AI”. Ai u përgjigjet përdoruesve në çfarëdo kërkesa që kanë duke u formuluar në formë të tekstit, imazheve e videove. Funksionon përmes inteligjencës artificiale.