Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AUV-ja e quan të rregullt mënyrën e pastrimit të instrumenteve mjekësore në QKMF-në e Drenasit

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë ka dërguar një ekip inspektues, së bashku me ekip të Ministrisë së Shëndetësisë, për të kontrolluar kushtet teknike, sanitare e higjienike të QKMF-së “Hazir Shala” në Drenas, pas raportimit të KOHËS mbi mënyrën e pastrimit të instrumenteve mjekësore.

AUV-ja i tha KOHËS se ekipi inspektues ka konstatuar se pastrimi i tyre bëhet “sipas procedurave standarde shëndetësore, mënyrë të rregullt dhe në fund vendosen në sterilizator.

“Inspektimi është zgjeruar për kontroll të kushteve ne aspektin higjieno-sanitare. Ku në pamje vizuale dhe vlerësim të përgjithshëm ishin në nivel mesatar. Në disa reparte si ai i Stomatologjisë, ka pasur dëmtime fizike një pjesë e tavanit është e dëmtuar dhe e mykur, vende-vende dyshemeja dhe pllakat rreth dritareve janë të dëmtuara. Inspektimi ka vazhduar ne Emergjencë, dhomën e trajtimit mjekësor (pastrim, fushim, kirurgji e vogël) dhe korridore. Gjendja thuajse në tërësi është e nivelit të njëjtë (vende –vende pllaka të dëmtuara, shporta të mbeturinave pa kapak). Nyejt sanitare janë të pastra dhe funksionale. Ka ujë në çdo ordinancë (ftohtë-ngrohtë), ka furnizim me mjete higjienike shampon dhe dezinfektues. Nuk ka dëshmi të kryerjes së D.D.D-së”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Ky institucion bëri të ditur se gjetjet e evidentuar i janë komunikuar drejtorisë së QKMF-së në Drenasa, e gjithashtu është dhënë urdhëresë për ngritje të nivelit të higjienës, pastrimit të mykut dhe rregullimin e pjesëve të dëmtuara.

“Të bëhet gëlqerosja e mureve, shportat e mbeturinave të mbulohen me kapakë dhe të bëhet D.D.D. Të gjitha urdhëresat duhet të zbatohen brenda afateve kohore ligjore. Ato do të mbahen të mbikëqyrura nga ekipi inspektues sanitar i AUV-së”, thuhet tutje.

Edhe Inspektorati shëndetësor inspekton QKMF-në në Drenas për procesin e sterilizimit Arbëri Inspektorati shëndetësor inspekton QKMF-në në Drenas për procesin e sterilizimit

Për rastin ka reaguar edhe Komuna e Drenasit, ku nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave ka thënë se s’ka shkelje në sterilizimin e instrumenteve mjekësore.

“Sipas procedurave standarde të sterilizimit të thatë, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Dr. Hafir Shala’ në Drenas, procedura e pastrimit të pajisjeve me ujë dhe mjete dezinfektuese, është i rregullt. Pastrimi i pajisjeve mjekësore është bërë edhe me ujë të vluar, madje më shumë se sa parashihet me Procedurën standarde, me mjete dezinfektimi. Më pas, ato shpërlahen, thahen dhe vendosen në sterilizator”, thuhet nga Komuna.