Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka shfuqizuar vendimin e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu për të emëruar si ushtrues detyrë të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Alban Ramabajën. Mirëpo, ndonëse vendimi është i plotfuqishëm e i ekzekutueshëm, ai po vazhdon ta mbajë detyrën e të marrë vendime
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civili po vazhdon ta mbajë detyrën, ndonëse vendimin për emërimin e tij në këtë pozitë e ka shfuqizuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Alban Ramabaja ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit në nëntor të vitit që shkoi, nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ndaj këtij emërimi ishin ankuar tre drejtorë të departamenteve të ndryshme në Autoritetin e Aviacionit, e kërkesën e tyre e ka aprovuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dhe e ka shfuqizuar vendimin e ministrit Aliu tash e më shumë se një muaj.
Por, Ramabaja po vazhdon ta ushtrojë detyrën e drejtorit. Këtë e vërtetojnë edhe vendimet që merren nga Autoriteti për Aviacion, e publikohen në ueb-faqe me nënshkrimin e tij.
Në vendim thuhet se ankuesit kanë pasur pozita më të larta sesa ushtruesi i detyrës së drejtorit e se emërimi i ministrit është në kundërshtim me disa dispozita të ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Ushtrues detyre mund të përcaktohet zyrtari më i lartë i kategorisë pasuese, në varësi të pozitës që caktohet nga cilado njësi organizative brenda institucionit, ndërsa sipas shkresave të lëndës, rezulton se ankuesit sipas akt-emërimeve, kanë pozita më të larta sesa nëpunësi civil, Alban Ramabaja”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Arben Mustafa, ka konfirmuar për KOHËN që në Ministrinë e Infrastrukturës kanë kërkuar që vendimi të rishqyrtohet.
“Ne kemi pranuar një shkresë nga sekretari i Ministrisë përkatëse për rishqyrtim të vendimit të këshillit, të cilën shkresë ne jemi duke e analizuar dhe do të ketë një përgjigje zyrtare në afatet ligjore, por se kjo nuk nënkupton se vendimi nuk duhet të ekzekutohet. Gjithashtu, meqenëse vendimi i këshillit është i ekzekutueshëm, palët që kanë qenë pjesë e procesit administrativ në këtë kontest mund ta ndjekin edhe rrugën e ekzekutimit të vendimit në procedurë përmbarimore”, ka thënë Mustafa.
KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe ministrin Aliu, por ai nuk është përgjigjur.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Alban Ramabaja, i kontaktuar nga KOHA, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, por më pas nuk është përgjigjur.