Arbëri

Autoritetet e Kosovës marrin leje për të vizituar Maqastenën në Prokuple

MPJD

Autoritetet e Kosovës kanë marrë leje për të vizituar asamblistin e Podujevës, Blerim Maqastena, në qendrën e paraburgimit në Prokuple të Serbisë, ku po mbahet qe sa ditë pas arrestimit në territorin e Serbisë, ku kishte hyrë si pasojë e mjegullës, në kohën teksa ecte bashkë me një shok të tij, Berat Mexhuanin, gjatë ecjes në fshatin Mirovc.

Në një komunikatë për media të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vlerësuar se “autoritetet serbe nuk janë sjellë në mënyrë të duhur për këtë ngjarje, duke neglizhuar komunikimin dhe ndarë informacionet e nevojshme për rastin”.

“Ata nuk po i marrin parasysh rrethanat në të cilat është bërë kalimi kufitar, ku dy qytetarët tanë, për shkak të kushteve atmosferike, pa dashje kanë dalë në territorin e vendit fqinj”, thuhet në njoftim.

“MPJD, me të kuptuar se njeri qytetar është liruar, ndërsa z. Maqastenës i ёshtё vazhduar masa e paraburgimit edhe për tridhjetë ditё, përmes Misionit të Posaçëm Diplomatik në Serbi, ka dorëzuar kërkesë formale pranё Gjykatës sё Prokuples, pёr tё lejuar Shefin e Misionit, Ambasadorin Jetish Jashari, që ta vizitojё z. Blerim Maqastena, nё qendrën e paraburgimit nё Prokuple ku ёshtё duke u mbajtur. Vizita ёshtё aprovuar dhe do tё realizohet sot paradite”, shpjegohet në njoftim teksa shtohet se autoritetet do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me familjen e Maqastenës.

Në fund të komunikatës, MPJD-ja ka thënë se do të parashtrojë kërkesa të vazhdueshme pranë Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësuesit të dialogut që të ndikojë tek autoritetet në Serbi për ta liruar Maqastenën e që rasti të kalojë tek autoritetet kosovare.