Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Austria mbetet aleat besnik i Kosovës, thotë Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për proceset integruese, në veçanti për çështjen e liberalizimit të vizave, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Presidenca austriake e Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjysmën e dytë të vitit 2018, rezultoi me angazhim të jashtëzakonshëm që Kosova të fitojë liberalizimin, theksoi Hoxha, por, për fat të keq, rekomandimet dhe ftesat e Austrisë, për liberalizim, nuk u përfillën nga vendet anëtare të Këshillit të Ministrave.

“Ne jemi mirënjohës me impenjimin e plotë të Austrisë gjatë presidencës së saj në krye të Këshillit të BE-së, vizitave zë zyrtarëve të lartë të Austrisë dhe agjendave të sensibilizimit me çështjen për vendet anëtare të BE-së si dhe kërkesave të vazhdueshme për ta votuar liberalizimin për Kosovën. Konsideroj se ky angazhim, ishte tejet i mirëpritur dhe jemi mirënjohës për këtë”, tha Hoxha në takim, duke vënë në pah se Austria ka qenë, është dhe mbetet aleat besnik i Kosovës.

Ndërsa ambasadori Pfandler, ka ritheksuar se Austria e ka mbështet dhe vazhdon ta mbështesë liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Ai po ashtu, vlerësoi angazhimin për zbatimin e Reformave nga Agjenda Evropiane si dhe MSA-ja.

Hoxha dhe Pfandler, ritheksuan gatishmërinë e çuarjes përpara të agjendës integruese të Kosovës, mbështetjen në të gjitha instancat e BE-së për Kosovën nga Austria si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet regjionale dhe globale.