Ambasada e Kosovës në Austri ka njoftuar se që nga data 1 shtator 2023, pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ, qytetarëve u lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shoferë të Kosovës. Por jo atyre që kanë qëndrim të rregullt në Austri.
Nga ky lehtësim, sipas njoftimit të Ambasadës, përfitojnë qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë, qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit dhe qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri.
“Ky lehtësim NUK vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Kosovës në Austri dhe institucionet e Kosovës kanë thënë se do të vazhdojnë angazhimin e tyre intensiv për njohjen e plotë të patentë shoferëve, “e cila do të lehtësojë konvertimin dhe zëvendësimin e plotë të lejes së patentave për qytetarët e Republikës së Kosovës me leje qëndrimi afatgjatë në Austri”.