Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Austria e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën në ekonomi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, priti në takim njoftues ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, të shoqëruar nga Eva Elisbeth Michlits, sekretare e parë Konsulle pranë Ambasadës austriake në Prishtinë, Vjosa Huruglica, udhëheqëse e zyrës së Odës Ekonomike austriake në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ambasadori austriak Pfandler e uroi ministrin Hasani për marrjen e detyrës së re në krye të MTI-së, me ç’rast e njoftoi atë me bashkëpunimin që shteti austriak ka pas në të kaluarën me shtetin e Kosovës në fushat që kanë të bëjnë me ekonomi, si dhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Hasani shprehu falënderimin e tij dhe të ministrisë që drejton për ndihmën e shtetit Austriak në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës në përgjithësi e në zhvillimin ekonomik në veçanti.

Më tej, Hasani bisedoi edhe kërkoi nga ambasadori mbështetje që shteti austriak të jetë prezent me investitorë në fusha të ndryshme të ekonomisë, pasi që institucionet e reja të Republikës së Kosovës po bëjnë të pamundurën që të krijojnë klimë të favorshme për këta investitorë duke e ditur rëndësinë e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mundësinë e ecjes së Kosovës krahas vendeve tjera në regjion dhe synimit për hapat drejt Bashkimit Evropian.