Ministria e Arsimit, pothuajse çdo vit, harxhon 7 milionë euro për ribotimin e teksteve shkollore për nivelin fillestar të arsimit.
E Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në Raportin e Auditimit rreth Procesit të Rishikimit të Teksteve Shkollore, ribotimin e përvitshëm e konsideron si dëmtim të buxhetit, pasi siç thuhet në raport, janë krijuar stoqe të mëdha të teksteve të vjetra shkollore.
Por, sipas zyrtarëve të MASHT-it, ribotimi është bërë në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa libra.
E në vitin 2016, me vendim të ministrit të Arsimit, janë rishikuar rreth 90 tituj mësimorë, kryesisht në përmbajtje, por edhe në çështje teknike.
E zyra e auditorit shpreh mendim se edhe pse tekstet janë rishikuar, ato pas hyrjes në fuqi të kurrikulës së re, do të dalin nga përdorimi.
Por Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, thotë se nuk është harxhuar asgjë më shumë për rishikimin e teksteve shkollore dhe ky proces është bërë në mënyrë që nxënësit të mos vazhdojnë të mësojnë nga tekste me gabime.
E njohësi i arsimit Halim Hyseni thotë se MASHT-i nuk është dashur të humbë kohë me rishikimin e teksteve, por deri tash, sipas tij, është dashur të ndërmarrë hapa për krijimin e teksteve të reja.
Sipas tij, nxënësit e Kosovës kanë humbur shumë me gjithë këto tentativa për të bërë ndryshime, që në fakt nuk është bërë asgjë.