Arbëri

Auditori gjen mangësi për menaxhimin dhe dhënien e granteve të bujqësisë

Arbnora Luta

Programe mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë në vlerë prej 8 milionë eurosh ka dhënë Ministria e Bujqësisë, pa një analizë paraprake.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për menaxhimin e subvencioneve në bujqësi, i publikuar të mërkurën, tregon se ka mangësi në mënyrën e menaxhimit të dhënies së granteve dhe subvencioneve për fermerët, raporton KTV.

Auditimi ka nxjerrë në pah se ka projekte të investuara që nuk janë aktive e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mos-zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e punësimit.

“Dështimi në themelimin e strukturave sipas rregullave për Asistencë në Para-Anëtarësim për Zhvillim Rural, ka bërë që Kosova, për dallim nga vendet e rajonit të mos përfitojë fonde nga Bashkimi Evropian për sektorin e bujqësisë”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit të përgjithshëm, mungesa e komunikimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe komunave ka mundësuar që aplikuesit e njëjtë të përfitojnë fonde nga niveli qendror dhe ai lokal.

Kjo kishte ndodhur në Komunën e Prishtinës, ku Auditori ka gjetur se fermerët nuk janë përzgjedhur sipas kritereve të përcaktuara, e në disa raste kishte munguar dokumentacioni i plotë.

ZAP-i në këtë raport, ka dhënë një varg rekomandimesh për Ministrinë dhe Komunat, siç është: sigurimi që programet të miratohen vetëm atëherë kur janë një vijë me buxhetin.

Ministria e Bujqësisë çdo vit, për subvencione miraton rreth 27 milionë euro, derisa kjo ministri vazhdimisht është udhëhequr nga partitë e komuniteteve në Kosovë.