Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ATK për dy muaj inkason mbi 88 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës në dy muajt e parë të këtij viti ka arritur që të inkasojë 88 milionë euro.

Përmes një deklarate për media, ATK ka njoftuar se gjatë periudhës janar-shkurt 2019 janë mbledhur 9.5 milionë euro më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkaq sipas tyre shkak i rritjes së të hyrave ka qenë edhe avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve.

“Rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, këtu rol të rëndësishme ka edhe rritja e aktiviteteve në teren, e sidomos ndërmarrja e veprimeve për mbledhjen e borxheve tatimore, të cilat aktivitete do të intensifikohen edhe më shumë ditëve në vijim”, thuhet në deklaratën e ATK-së, transmeton Koha.net.

Sipas njoftimit, ATK thotë se të vazhdojë të punojë në ruajtjen dhe ngritjen e imazhit të një administrate transparente dhe në shërbim të të gjithë tatimpaguesve.

“Motoja e përgjithshme e punës sonë qëndron në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, dhe mbi të gjitha trajtim i barabartë për të gjithë tatimpaguesit në mënyrë që secili ta paguajë pjesën që i takon me ligj”.