Arbëri

ATK: Pavarësisht pandemisë, ATK-ja realizoi objektivat

Pavarësisht ndikimit të pandemisë COVID-19, ATK-ja ka arritur realizimin e objektivave, si dhe tejkalimin e tyre, të cilat kanë qenë të përcaktuar, sipas dokumenteve strategjike dhe planit të punës.

Kështu është thënë në një tryezë diskutimi ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, i cili u përgjigj shumë shqetësimeve dhe pyetjeve të ngritura nga ana e komunitetit të bizneseve.

Në njoftimin e ATK-së thuhet se “Kapiti ka bërë të ditur se ATK është duke treguar se është një institucion profesional, në zbatimin e politikave fiskale përkatësisht legjislacionit tatimor, me thekës të veçantë luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale, si dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve”.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj gjatë prezantimit tha se ATK është në rrugë të mirë dhe së shumë shpejt pavarësisht ndikimit të pandemisë COVID 19, ka arritur realizimin e objektivave, si dhe tejkalimin e tyre, të cilat kanë qenë të përcaktuar, sipas dokumenteve strategjike dhe planit të punës.

Ai potencoi se organizatat të cilat përfaqësojnë interesat e bizneseve, janë motor i rëndësishëm në ecjen përpara të shumë proceseve kyçe, të cilat ndërlidhen direkt me tatimpaguesit, pasi që vetë tatimpaguesit janë skaneri më i mirë i punëve që bënë institucioni i administratës tatimore.

E nga ana tjetër, përfaqësuesit e bizneseve ngritën shqetësime të ndryshme, të cilat kryesisht janë derivat i rrethanave që pandemia COVID 19 ka shkaktuar.

Po ashtu, u shprehen se janë të kënaqur me komunikimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë me ATK-në, në diskutimin e shumë çështjeve që kanë impakt para se ato të finalizohen.

Ndërsa Murtezaj ka thënë se të gjitha shqetësimet ngritura gjatë këtij takimi do t’i shqyrtojë së bashku me menaxhmentin e lartë.