Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ATK-ja gjobiti 62 kompani të autobusëve për moslëshim të kuponëve fiskalë e mospajisje me arkë fiskale

Zyrtarja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi Sefa, në emisionin Sot të KTV-së ka folur për aksionin e ATK-së ndaj sektorit të transportit rrugor ndërkombëtar.

Gjatë inspektimeve të zyrtarëve të ATK-së janë lëshuar 1429 gjoba për 62 kompani për mospajisje me arkë fiskale dhe moslëshim të kuponit fiskal.

“Inspektorët tatimorë kanë verifikuar në disa pika kufitare diku 62 kompani, që pas inspektimeve të bëra është parë se nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë. Gjobat janë në përputhje me numrin e klientëve apo udhëtarëve që ishin aty. Për secilën ulëse të atij autobusi, është lëshuar një gjobë për moslëshim të kuponit fiskal. Pos moslëshimit të kuponit fiskal, përfshihen edhe kompani që nuk kishin fare arkë fiskale apo kishin arkë fiskale jofunksionale”, ka thënë Sefa.

Sefa ka thënë se çështja e fiskalizimit është proces shumë delikat, por se është i detyrueshëm. Ajo thotë se është sfidë për ATK-në pasi ka mungesë të inspektorëve.

“Çështja e procesit të fiskalizimit është delikate, pasi shpeshherë opinioni krijon target të këtij procesi. Procesi i fiskalizimit është proces që duhet zhvilluar në vazhdimësi. Në periudha kohore ose ditore mund të kemi shtim të numrit të bizneseve që kanë obligim ligjor të kenë arkë fiskale. E mund të kemi biznese që janë regjistruar e nuk kanë zhvilluar aktivitete fare. E krijon atë diferencë në numrin e bizneseve që i kemi të fiskalizuara e numrin e bizneseve që po presin të fiskalizkohet. Projekti ka filluar në vitin 2010 dhe duhet vazhduar. Është sfidë për ATK-në. Kemi numër jo të mjaftueshëm të inspektorëve. Në terren i kemi diku 300 inspektorë, që duhet zhvilluar gjitha aktivitetet. Nuk është vetëm sektori i trafikut rrugor brenda Kosovës ose brenda Prishtinës, moslëshim të kuponave fiskal apo mospajisje me arka fiskale kemi edhe në sektorë tjerë”, ka thënë Sefa.

Edhe Gastronomia e shëndetësia në krye të sektorëve që nuk lëshojnë kuponë fiskalë Arbëri Gastronomia e shëndetësia në krye të sektorëve që nuk lëshojnë kuponë fiskalë

Ajo ka folur edhe për aksionin e fundit të ATK-së që ka qenë konfiskimi i pasigurisë së tatimpaguesëve borxhlinj.

“Përveç verifikimit për kupona fiskal, ka qenë edhe konfiskimi i pasurisë së tatimpaguesëve që nuk i kanë kryer borxhet brenda ATK-së. E kemi parasysh se situata është vështirësuar, si pasojë e pandemisë. Ne u kemi bërë thirrje vazhdimisht tatimpaguesëve për t’u lehtësuar situatën, që të vijnë e të bëjnë marrëveshje për pagim të borxheve me këste e të mos vijë momenti i konfiskimit të pasurisë. Përkundër thirrjeve kishte edhe tatimpaguesë që nuk u bindën. Ishte rasti i fundit në disa parkingje në kryeqytet, ku është bllokuar veprimtaria e tyre. Nuk është bërë me dashje të ATK-së, por përderisa nuk kemi ndonjë vendim, duhet vepruar në bazë të kornizave të legjislacionit tatimor. Para konfiskimit janë hapa tjerë, përfshirë bllokimin e llogarive bankare”, ka treguar Sefa.