Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, komunave iu lejohet që të hartojnë kurrikulën në gjuhën serbe. Tekstet të cilat përdoren në shkollat serbe në Kosovë kanë përmbajtje të njëanshme për luftën e fundit, si dhe përmbajnë shtrembërime të fakteve e që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas analizuesve të këtyre teksteve, hartimi i planprogramit mësimor nga serbët është në dëm të sistemit arsimor në vend, si dhe nuk ndihmon në bashkëjetesën ndëretnike
Me tekste shkollore, me përmbajtje të njëanshme e shtrembërim të fakteve, mësojnë nxënësit në shkollat serbe në Kosovë.
Në librin e historisë së klasës së tetë, i cili është i bazuar në planprogramin e Serbisë, lufta në Kosovë nisi nga ngjarjet në fund të shkurtit në Likoshan dhe më 5 mars 1998, kur, siç thuhet në tekst, u likuidua udhëheqësi i parë i UÇK-së, Adem Jashari.
“Kriza në Kosovë e Metohi – Situata në Kosovë e Metohi u bë tepër e ashpër. Të tillë e bënë aksionet e çdoditshme të grupeve terroriste shqiptare, e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, që grabisnin e përlesheshin me forcat e rendit (Policinë dhe ushtrinë)”, thuhet në këtë libër.
Masakrat e kryera nga forcat paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë në tekste shkollore iu referohen si luftëra të vështira, ku Ushtria Jugosllave e pati të domosdoshme të neutralizonte situatën.
Në tekst thuhet se sulmi i NATO-së në Serbi u realizua pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, me shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe se ishte agresion ndaj një vendi si Serbia. Tutje thuhet se këtë fakt “zyrtarët amerikanë kurrë s’e mohuan”.
E në kolumnen ekskluzive për KOHËN, se si do të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e shkruar nga zyrtarët e lartë amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, theksohet i vetmi shembull, ai për komunat që do të hartojnë kurrikulën në gjuhën serbe.
Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit përmes Agjencisë së Kosovës për Kurrikulum, Standarde dhe Vlerësim, harton Kornizën e Kurrikulumit.
Deri më tash shkollat në gjuhën serbe kanë funksionuar me planprogram të Serbisë, për shkak se u lejohet me Planin e Ahtisarit. Mirëpo në Pakon e Ahtisarit theksohet se Ministria e Arsimit ka të drejtë t’i vlerësojë tekstet shkollore, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën.
Vetëm në vitin 2010 është bërë një vlerësim i teksteve nga Ministria, ku në gjetjet e raportit të Komisionit të Pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe është theksuar se ato bien ndesh me Kushtetutën, pasi shkelin parimet e barazisë etnike.
Sipas ish-anëtarit të këtij komisioni, Nehat Mustafa, vazhdimi i miratimit të planprogramit e teksteve shkollore të Serbisë është dëm për sistemin arsimor në vend. Mustafa ka thënë se gjuha e përdorur në tekste serbe nuk ndihmon në bashkëjetesën ndëretnike.
“Vazhdimi i procesit mësimor me tekste të miratuara nga Serbia dhe me gjuhën të cilën e përmbajnë tani për tani është në dëm të sistemit arsimor të Kosovës. Gjenerata të shumta të rriten më atë gjuhë dhe atë mentalitet lë pak shpresë për një bashkëjetesë ndëretnike”, ka theksuar Mustafa.
Sipas Ministrisë së Arsimit, në vend funksionojnë 131 shkolla që punojnë me planprogram të Serbisë.