Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asnjë prokuror s’po e pranon lëndën që shteti ushtroi ndaj Enver Hasanit

Më 17 nëntor, rrumbullakohet 1 vit qëkur shteti ushtroi kallëzim penal ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për lajmërim të rremë, në rastin e dyshimeve për manipulimin e dosjes së Aleksandër Lumezit.

Që nga ajo ditë, kallëzimi ka mbetur i tillë, pa u trajtuar, raporton KTV.

Tre prokurorë kërkuan përjashtimin e tyre nga lënda: Merita Shala, për shkak se i ati i saj ishte dëshmitar në këtë proces dhe Merita Lumezi për shkak se është kunata e Aleksandër Lumezit.

E, prokurori i tretë që refuzoi ta marrë lëndën ishte Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj.

Më 14 shkurt, lënda i ishte ndarë Prendrecajt, por ai ka kërkuar lirimin, me arsyen se lënda është e vjetër, pasi data e regjistrimit të saj është më e vjetër sesa dekretimi i tij si Prokuror.

Edhe Prokuroria s’tregon në ç’fazë është procesi i kallëzimeve penale të Lumezit e Hasanit Arbëri Prokuroria s’tregon në ç’fazë është procesi i kallëzimeve penale të Lumezit e Hasanit

Me 24 prill të 2018-ës, kallëzimi penal ndaj Enver Hasanit, sipas shortit, i është ndarë Prokurores Nebahate Salihu, e cila lëndën e mori në dorëzim më 10 maj, por, që nga ajo ditë, Prokurorja nuk e ka bërë asnjë veprim që lidhet më këtë çështje.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për mosveprimin në këtë rast, përveçse kanë thënë që lënda i është ndarë Prokurores Salihu dhe ajo do të marrë drejtim.

Vetë Enver Hasani, i ka thënë Kohavisionit se lënda është një tentim i dytë i një klase të caktuar të njerëzve që janë pjesë e sistemit prokurorial e policor të Kosovës që duan persekutimin e tij.

Ndryshe, ky kallëzim penal ishte hartuar nga Avni Namani, Shefi i Njësive Rajonale për hetimin e krimeve ekonomike, i cili u largua nga pozita e tij me një vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Namani kishte udhëhequr hetimet për “Dosjen Lumezi”, të cilat u mbyllën pas 21 ditësh.

Por, edhe Hasani ka ngritur kallëzim penal ndaj Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Blerim Jusufi, si dhe dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Drita Peci Hajdari dhe Sevdije Morina.

Edhe Dy prokurorë refuzuan të marrin në shqyrtim lëndën “Hasani – Lumezi”, i treti caktohet nesër Arbëri Dy prokurorë refuzuan të marrin në shqyrtim lëndën “Hasani – Lumezi”, i treti caktohet nesër

Mirëpo, as kësaj lënde, e cila është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ende nuk i është ndarë asnjë prokurori, kjo pasi nuk dihet se kush ka kompetenca ta shqyrtojë.

Dyshimet mbesin mes asaj se kush është përgjegjës t’i hetojë krerët e lartë të sistemit të drejtësisë, Prokuroria Speciale apo duhet përjashtimi i saj, pasi dy prej të akuzuarve punojnë në këtë institucion.