Arbëri

Asnjë analizë e tiroides s’bëhet në QKUK, prej më shumë se tetë muajsh

Asnjë analizë për gjëndër tiroide pacientët nuk mund ta kryejnë aktualisht në QKUK. Sipas informatave që ka siguruar KOHA, në Klinikën e Mjekësisë Nukleare ato nuk bëhen prej më shumë se 8 muajsh e në Klinikën e Biokimisë prej rreth dy javësh. Në QKUK nuk folën për këtë mungesë. Ndërkaq, pacientët detyrohen që analizat e këtilla t’i kryejnë në laboratorë privatë e të cilët duhet të paguajnë nga 15 deri në 125 euro.

Analizat për hormonet T3, T4 dhe TSH janë bazike për të verifikuar funksionimin e gjëndrës tiroide. E krahas tyre edhe disa analiza dytësore, si Anti TPO dhe Anti TG, si dhe ekzaminimi me Eho.

Por, aktualisht asnjëra prej këtyre analizave nuk bëhen në klinikat e QKUK-së.

Për pasojë, pacientët detyrohen që ato t’i kryejnë në laboratorë privatë.

Kostoja për analiza T3, T4 e TSh është 15 euro. Ndërkaq, të tjerat kushtojnë nga 30 deri në 125 euro.

Për më shumë se 8 muaj, në Klinikën e Mjekësisë Nukleare nuk bëhet asnjë analizë e gjëndrës tiroide. Edhe në Klinikën e Biokimisë gjendja është e njëjtë për rreth dy javë. Ndonëse pacientët dhe personeli mjekësor e kanë konfirmuar këtë, menaxhmenti i QKUK-së nuk ua ka mundësuar atyre të flasin publikisht për këtë.

KOHA që nga mëngjesi ka pritur për lëshimin e një lejeje nga administrata e QKUK-së për të intervistuar drejtorët e klinikave. Ajo nuk është dhënë me arsyetimin se nuk kanë konfirmim nga drejtori i SHSKUK-së.

Burime brenda Klinikës së Biokimisë kanë treguar se për analiza të gjëndrës tiroide ka pasur mesatarisht nga 150 kërkesa çdo ditë. Sipas tyre, shërbimi është stopuar për shkak të skadimit të kontratës së negociuar tremujore, që ishte për materialin me të cilin kryheshin analizat.

Edhe në disa laboratorë privatë treguan se analizat për tiroide janë ndër më kryesoret që i kryejnë gjatë secilës ditë.