Arbëri

Ashpërsim masash, 26 mijë raste aktive me COVID

“Masat kundër pandemisë i kemi propozuar e miratuar në raport me situatën epidemiologjike duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur raportin mes shëndetit e ekonomisë”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti. Ngritja enorme e shifrave e ka çuar Kosovën në majë të listës së shteteve në botë sa u përket infektimeve për një milion banorë. Sipas uebfaqes së specializuar për statistika “Our World in Data”, Kosova është në top tri vendet, me Gjeorgjinë e Malin e Zi

Një muaj pasi që lakorja e rasteve të të infektuarve me koronavirus ka nisur të ngrihet, për ta çuar numrin rasteve aktive në rreth 26 mijë, Qeveria ka marrë vendim për ashpërsim masash që kufizojnë lëvizjen, aktivitetet e gastronomisë dhe tubimet, hyrjet brenda Kosovës dhe shtyjnë vitin e ri shkollor.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat i kanë marrë në vazhdimësi duke e balancuar ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve.

“Masat kundër pandemisë i kemi propozuar e miratuar në raport me situatën epidemiologjike duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur raportin mes shëndetit e ekonomisë. Kur përmirësohej situata i lironim, kur përkeqësohet jemi të detyruar t’i shtrëngojmë. Me miratimin e vaksinës ndryshoi raporti me pandeminë. U kthyem në kundërsulm me vaksinim. E nisëm nga fundi i marsit, e atë masiv nga 15 qershori. Edhe pse e nisëm të fundit në rajon, në gusht për disa javë ishim të parët me mesataren më të lartë në rajon”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë, ministri Arben Vitia e ka vlerësuar situatën si të ndjeshme dhe ka thënë se qeveria po bëhet gati për valë të reja të pandemisë.

“Ne si qeveri qysh tashmë jemi bërë gati për të negociuar dhe siguruar edhe dozën e tretë që ta kemi në kohë të gatshëm nëse paraqitet nevoja. Çfarëdo masash që marrim do të ketë me siguri edhe valë të tjera të pandemisë”, është shprehur Vitia.

Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi më 29 gusht, ndërsa masat vlejnë nga 30 gushti deri më 13 shtator.

Me këtë vendim shtyhet nisja e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator. Kjo nuk do të vlejë për nivelin parashkollor, me gjithë faktin që vetëm të shtunën janë shënuar 55 raste pozitive të fëmijëve nga 0 deri në 9 vjeç. Qeveria nuk ka dhënë sqarime se pse nuk e ka përfshirë edhe këtë nivel arsimor në kufizim. Pezullimi si për shkolla deri më 13 shtator do të vlejë edhe në biblioteka, kinema, qendra rinore, muze e qendra kulturore.

Maskat, po ashtu, do të rikthehen, duke u bërë obligative përveç brenda në veturë kur udhëtarët janë familjarë, gjatë vrapit e ushtrimeve fizike, si dhe gjatë ngrënies e pirjes.

Çdo tavolinë e shërbimeve të gastronomisë duhet të ketë dezinfektues. Gastronomët do të punojnë deri në orën 21 e 30, derisa funksionimi i lokaleve do të lejohet vetëm në ambiente të jashtme duke e shfrytëzuar maksimalisht 70 për qind të hapësirës së tyre.

Masat parashohin edhe kufizimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Ndërsa hyrja në Kosovë përmes pikave kufitare kushtëzohet me dëshmi vaksinimi apo të ndonjërit nga llojet e testeve anti-COVID (rapid, antigjen, serologjik). Në të kundërtën, pason vetizolimi për një javë, por jo edhe për nivelin parashkollor.

Sipas vendimit, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në 30 persona në punëtori, mbledhje, seminare, trajnime e ngjarje kulturore, por organizatori obligohet të sigurojë distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave. Po ashtu, lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë 50 persona. Ndërsa ndalohet organizimi i të pameve në raste të vdekjes, e varrimet vetëm me praninë e familjes së ngushtë.

Si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat, vendimi i Qeverisë udhëzon që vetëm stafi esencial obligohet të paraqitet në punë.

“Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit, kur kjo të jetë e mundur”, shkruhet në vendimin për masat.

Prania e punëtorëve të sektorit publik në vend të punës do të vështirësohet për personat e pavaksinuar. Dëshmitë e vaksinimit apo testi për COVID do t’iu duhen nëpunësve publikë për të hyrë në vendin e tyre të punës nga 13 shtatori.

“Kjo masë, gradualisht do të përfshijë edhe shumë sfera të jetës ekonomike dhe sociale. Në fazën që jemi, por edhe në atë që po na pret ne nuk mundemi dhe nuk duhet të lejojmë as neglizhencë e pakujdesi në këtë situatë”, ka thënë ministri Vitia.

Në mbledhjen e së shtunës, Qeveria po ashtu ka marrë vendim për angazhim shtesë të edhe 422 profesionistëve shëndetësorë në luftën me pandeminë. Bëhet fjalë për mjekë, infermierë e laborantë. Ata do të angazhohen për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre të tjerë. Për mbulimin e angazhimit të tyre, Qeveria ka ndarë 1.3 milionë euro.

Ndërkaq duke folur për pakënaqësitë e stafit shëndetësor për shtesat e ndara nga Qeveria për luftën me pandeminë, ministri Arben Vitia ka thënë se pagat në sektorin e shëndetësisë do të rregullohen së shpejti me Ligjin për paga në sektorin publik.

Kosova në mesin e tri vendeve me më së shumti infektime për një milion banorë në botë

Kosova vazhdon të përballet me shifra alarmante për COVID-19, duke u bërë një prej tri vendeve me gjendjen më të rëndë në botë.

18 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, e janë regjistruar 1.891 raste të reja, duke e çuar në gati 26 mijë numrin e rasteve aktive. Që nga fillimi i pandemisë, betejën me COVID-19 e kanë humbur 2.421 persona. Të shtunën është konfirmuar edhe vdekja e një 20-vjeçareje nga Gjakova, e cila e humbi betejën pak ditë, pas të atit të saj. E ngritja enorme e shifrave e ka çuar Kosovën në majë të listës së shteteve në botë sa u përket infektimeve për një milion banorë. Sipas uebfaqes së specializuar për statistika “Our World in Data”, Kosova është në top tri vendet, me Gjeorgjinë e Malin e Zi.

Ndërkohë është rritur edhe numri i hospitalizimeve. Sipas SHSKUK-së, në nivel vendi janë duke u trajtuar 1.165 pacientë prej të cilëve 63 janë në kujdes intensiv e 944 po trajtohen me oksigjeno-terapi. Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, ka thënë se shumica dërrmuese e pacientëve të hospitalizuar janë të pavaksinuar.