Arbëri

Asgjësohen 21 ton mish i prishur në depon e BIK-ut

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 21 ton mish që po mbaheshin në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, që ndodhet në Veternik të Prishtinës. Ky mish ka qenë i prishur, dhe i rrezikshëm për t’u konsumuar.

Një gjë të tillë ka konfirmuar zëdhënësi për media në AUVK, Lamir Thaçi. Ai ka thënë për Koha.net se në depon e BIK-ut është hasur sasi prej 21 ton mish, lloji i gjedhit, që është konstatuar se s’guxon të përdoret për konsum, pasi s’ka qenë i ngrirë me kohë. Thaçi ka bërë të ditur se kishin marrë kërkesë nga zyrtarë të BIK-ut për të kontrolluar depon me mish.

Ka thënë se kapaciteti ftohës i depos nuk kishte ngrirë mishin në temperaturën e nevojshme dhe si pasojë ka ardhur deri te prishja e mishit.

“Bazuar në kërkesën e paraqitur nga zyrtarë të Bashkësisë Islame për dyshim në sigurinë e mishit të kurbaneve, të cilin e kanë pasur të deponuar në depon e kontraktuar me lokacion ne Veternik-Prishtinë i cili ka qen i dedikuar për shpërndarje tek qytetarë të besimit islam, Inspektorët Veterinarë të Agjencisë së ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë kanë realizuar kontrollin e depos. Aty kanë hasur në një sasi prej 21 ton mish lloji i gjedhit. Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë. Kapaciteti ftohës i depos nuk ka arritur që të ngrijë mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasojë ka ardhur deri tek, kontaminimi apo prishja e mishit. Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndërrojë ngjyrë, disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku, qe dëshmon se mishi është shkrirë e ringrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë (ka filluar procesi i putrifikimit)”, ka thënë fillimisht ai.

“Bazuar në ligjet në fuqi dhe procedurave standarde të kontrollit, bazuar në të gjeturat e lartë cekura, inspektoret kanë vendosur që të bëhet asgjësimi i gjithë sasisë prej 21 ton për shkak sepse nuk i plotëson kushtet për konsum. Menjëherë, Bashkësia Islame ka krijuar kushtet për asgjësim sipas vendimit të Inspektorëve. Asgjësimi ka filluar sot dhe është duke u kryer nga kompania pastrimit të mbeturinave, në deponinë të mbeturinave në Obiliq nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, ka shtuar Thaçi.

AUVK-ja ka bërë të ditur se ditë më parë kishte asgjësuar edhe 800 kilogramë mish gjedhi në shoqatën “Jetimët e Ballkanit” në Skenderaj, pas kërkesës nga inspektorët komunalë.

“Po ashtu kemi pranuar një kërkesë nga inspektorët komunal të Skenderajt, për kontroll të një sasie të mishit të destinuar për familjet në nevojë të shoqatës ‘Jetimet e Ballkanit’, dhe për të njëjtën sasi prej 800 kg inspektori Veterinar i AUV-së ka vendosur se mishi nuk i plotëson kushtet për konsum dhe është bërë asgjësimi i tij nga kompania pastrimi në Mitrovicë me datë 19.08.2019. Sasia e asgjësuar në ketë rast ka qen 800 kg mish gjedhi”, ka treguar Thaçi.