Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se subjekti i tij politik nuk do të shkojë në konsultimet e thirrura nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Si president i Listës Serbe, e falënderoj për ftesën për konsultime rreth datës së mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe mund të them se Lista Serbe nuk do të shkojë në atë takim. Përfaqësuesit e Listës Serbe do të marrin parasysh thirrjen për verifikim të mandateve në pajtim me ligjin, por nuk dëshirojmë që përfaqësuesit serbë dhe populli serb të jetë në mes të çekanit dhe kudhrës” ka thënë Rakiq, raporton Koha.net.
Presidenti Thaçi i ka ftuar partitë parlamentare në një takim konsultativ rreth mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ftesën për pjesëmarrje e kanë refuzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje e koalicioni LAA.
Takimi konsultativ pritet të mbahet në hënën në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.