Arbëri

As këtë të hënë nuk nis mësimi

Foto ilustrim / KOHA

Foto ilustrim / KOHA

Larg bankave shkollore do të qëndrojnë nxënësit edhe këtë të hënë. Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thonë se nuk ka sinjale se greva do të ndërpritet. E orët mësimore nuk do të kompensohen. Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje për ndërprerje të grevës duke shtuar se paralajmërimet për moszëvendësimin e orëve të humbura vetëm sa e ndërlikojnë situatën.

Edhe këtë të hënë nxënësit do të qëndrojnë larg bankave shkollore.

Greva në sektorin e arsimit do të vazhdojë, ka njoftuar kryesindikalisti i mësimdhënësve, Rrahman Jasharaj.

Ai thotë se ekzekutivi nuk ka dhënë sinjale pozitive se janë të gatshëm të dialogojnë me Këshillin Grevist të Sindikatave.

"Nuk mund të them, pasi edhe ajo që e kam pas në këshillin ekonomik social Qeveria ka mbetur e barrikaduar në qëndrimet e saj dhe madje ne jemi duke bërë të pamundurën që të arrijmë te dialogu, dhe dy deklaratat e ministres Nagavci si duket në një situatë nervoze janë jo për t'i afruar palët, por janë nxitëse. Janë deklarata që nuk qëndrojnë, sepse SBASHK-u nuk është e vërtetët që po shantazhon", ka thënë për Kohën, Jasharaj.

E mbi 580 mijë orë mësimore të humbura deri tash nuk do të kompensohen, sipas Jasharajt.

Për mësimdhënësen e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Florie Sejdiu, orët e humbura edhe po të zëvendësohen, nuk e kanë efektin e njëjtë te nxënësit.

“Orët e humbura nuk duhet të zëvendësohen dhe kjo duhet të jetë një sinjal për Qeverinë që të ndërpritet sa më parë greva. Edhe nëse zëvendësohen nuk do të ketë efekt, ashtu është edhe vendimi i prindërve sepse është ngarkesë për fëmijët nëse punohet edhe dita e gjashtë. Ne nuk duhet të rrimë këtu me ditë të tëra duke menduar që kemi me i zëvendësuar në të ardhmen, por është kërkesë e mësimdhënësve, kolektivit tonë, që të ndërpritet sa më parë dhe të fillojmë me punë”, u shpreh ajo.

Dëm të pariparueshëm në zhvillimin akademik të nxënësve, është duke shkaktuar greva sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja.

“Orët mësimore edhe mund të zëvendësohet, mirëpo ajo që na është dëshmuar neve nga e kaluara në asnjë moment orët mësimore të zëvendësuara nuk mund të zëvendësojnë si duhet në mënyrë të mirëfilltë mësimin e rregullt. Zëvendësimi i orëve qoftë vikendeve, qoftë gjatë pushimeve verore dhe pranverore nuk na është dëshmuar asnjëherë si efektiv”, ka thënë Qehaja.

Ndërprerje të grevës ka kërkuar edhe të dielën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas saj, “paralajmërimet për moszëvendësimin e orëve të humbura vetëm sa e ndërlikojnë situatën”.

Që nga 25 gushti, punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kyç e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në miratimin e Ligjit për paga.