Arbëri

Armiku i popullit

Agim Gjakova

PIKË me Veton Surroin: Bashkëbisedim me Agim Gjakovën (Pjesa e parë)

Surroi: Mirëmbrëma! Sonte në “Pikë” mysafir është Agim Gjakova, poet. Poet i Kosovës, poet i Shqipërisë. Poeti i përbashkët i të dy shteteve dhe, siç e mban ky emision në titull, është “armiku i popullit”, i shpallur si këndej ashtu edhe andej kufirit, në një pjesë të madhe të jetës së vet.
Po e them në thonjëza, sepse kjo do të dalë gjatë bisedës sonë. 

Agim Gjakova dhe familja e tij, janë një simbol i madh i tërë shekullit 20 dhe do të përpiqemi ta shpjegojmë.

Daja Agim, po e quaj daja Agim, se është daja i shokut tim të ngushtë dhe mik i nënës sime të ndjerë, bashkëkohanikë. Mirë se vjen!

Gjakova: Mirë se ju gjeta dhe faleminderit për ftesën.

Surroi: Agim Gjakova, me 90 vjet që do t’i mbushë në korrik të këtij viti, është Agimi më i moshuar që njoh unë. Si ndodhi kjo?

Gjakova: Po im atë ma ka vënë emrin Agim, në vitin 1935.

Për familjen, po filloj nga nana. Ishte gjakovare, ashtu si dhe baba, e bijë e një shehu që ka pasur tetë fëmijë, i cili ka shkuar në haxhillëk, por kur është kthyer ka qenë shumë i zhgënjyer me atë e çka ka parë.

Kështu që të gjithë fëmijët, të katër djemtë i ka shkolluar. Bile njërin, flas për vitet e 1910, 1912, 1915, e ka shkolluar njërin edhe me arsim të lartë, ka qenë avokat gjatë kohës. E nanës i thoshte gjithmonë: ik ti, s’ke të bësh punë, shko ti merre kape librin. 

Pra, ka qenë kështu. Është shkruar për të, si mësuese. Ka qenë mësuesja e parë myslimane në Kosovë, në vitet 1910, gjatë gjithë kohës së Austro-Hungarisë. 

Im atë ka mbaruar një shkollë plotore (gjashtëklasëshe, v.j.) këtu dhe ka futur një mollë në xhep dhe në moshën 17 vjeçare, ka hy në çetë të Bajram Currit dhe ka shku në Shqipëri në atë kohë në vitin 1919, kur bëhej Shqipëria mbas Luftës së Parë Botërore dhe atje, meqenëse ka qenë i vetmi djalë me shkollë në atë farë çetë ushtrie, Bajram Curri, që ishte komandant, e ka marrë dhe ka çu në një shkollë ushtarake dhe atje ka mbaruar një vit dhe ka dalë oficer.

Pas asaj shkolle, ka shërby në ushtrinë e Nolit. Kur Zogu ka hyrë në Shqipëri, e ka marrë e ka futur në burg si kundërshtar politik i tij. Por Zogu, si njeri i zgjuar, e ka thërritur në audiencë, i ka thënë ti ke qenë ushtarak, nuk je përzi në politikë. Unë kërkoj që të rrish me gradën më të lartë këtu në ushtrinë time.

Baba e ka shfrytëzu atë rast, i ka thënë: “Në qoftë se doni me më bâ një nder”, nuk ishte ende mbret, ishte lartmadhëri kryeministër, “më çoni në Shkollën Normale të Elbasanit”. 
Kështu që mbaroi Shkollën Normale të Elbasanit...

Surroi: Ky është kosovari i parë që e mbaroi atë.

Gjakova: Dhe e emëruan në Shkodër. Meqenëse ishte pak më i rritur dhe e kishte kry këtë shkollën ushtarake, njëkohësisht ishte mësues, por në Gjimnazin e Shkodrës, ia dhanë edhe të mbante lëndën e edukatës fizike. 

Pastaj u transferu në Kavajë, deri në vitin 1941, kur të gjithë pastaj kemi ardhur në Kosovë.

Surroi: Dhe në Kavajë ke lindur ti.

Gjakova: Unë kam lindur në Kavajë.

Surroi: Emri Agim është më i vjetri, besoj, nuk ka Agim më të...

Gjakova: Po, ka qenë ndër ma të vjetrit dhe në atë kohë kanë qenë dy Agima kanë qenë pak më të rinj se unë dhe tjetër s’ka pasur në Kosovë.

Surroi: Edhe Shqipja, motra...

Gjakova: Edhe Shqipja ka qenë, edhe ajo ndër të parat me emrin Shqipe.

Surroi: 1941-n vendos baba t’ju kthejë në Gjakovë

Gjakova: Baba pastaj u emëru drejtor i shkollës në Kavajë dhe njëkohësisht drejtor didaktik i tri një nënprefekturave. Kështu e ka pasë ndarë Ministria e Arsimit, nga tri nënprefektura.

Ky drejtori didaktik e kishte detyrën e Inspektorit të Arsimit t’i inspektonte të gjitha shkollat e nënprefekturës ose të prefekturës për cilësinë e arsimit, etj.

Në vitin 1941 iu bashku Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ka qenë nacionalist, nuk ka qenë i partijshëm në kuptimin komunist dhe u zgjodh kryetar i Këshillit të parë Nacionalçlirimtar, i themeluar në të gjitha trevat shqiptare në dimrin e 1941/42, për të cilën ka shkru edhe Ali Hadri në librat të tij.

Surroi: Në Gjakovë.

Gjakova: Në Gjakovë është zgjedhë. U arrestua nga italianët, nga fashizmi. Popullsia e Gjakovës u ngrit totalisht në këmbë. Ishte një demonstratë që s’ishte parë asnjëherë, domethënë, u mbyllën me dyqane, me krejt u bllokuan rrugë e tjera dhe tjera.

Dhe nga presioni i madh i popullsisë dhe opinionit, italianët u detyruan ta lironin. Por, baba ka qenë pak i sëmurë dhe nga kushtet e vështira, që kishte ndejtë nja një javë në burg atje u sëmur edhe kështu që vdiq në shtëpi.

Surroi: Ka qenë edhe i torturum, apo jo?

Gjakova: Jo kushedi çka i torturuar, por në kushte të vështira. Ai ka qenë me tuberkuloz, baba, kështu që mjafton një lagështi, si të thuash, që të ndikojë.

Surroi: Domethënë, në moshën tënde tetëvjeçare...

Gjakova: Po në moshën 8-vjeçare, më 1943, mua më la tetë vjeç.

Surroi: Në moshën tënde 10 vjeçare përfundon Lufta e Dytë Botërore.

Gjakova: Lufta e Dytë filloi në moshën 6 vjeçare, po e quajmë 1941-n... ajo kish fillu ma pak ma përpara, natyrisht se Polonia u pushtu më përpara nga gjermanët, por e marrim për ne shqiptarët në 1941, por kur u pushtua Jugosllavia nga gjermanët. 

Italia që kishte pushtu Shqipërinë, Gjermania ia dha edhe një pjesë të Kosovës, jo krejt, nuk e dha Shkupin trevave shqiptare, etj., as Kaçanikun madje, edhe kështu që n’atë kohë unë fillova klasën e parë fillore.

Surroi: Si të është dukur, si një fëmijë, çlirimi i Gjakovës?

Gjakova: Çlirimi i 1944-s..., ka ardhë ajo që quhej “Bokeljska brigada” 

Me 22 dhjetor ka qenë “Dita e Ushtrisë”, dhe kërcisnin armët dhe bëhej festë, a në të vërtetë atë ditë janë pushkatu rreth 180 gjakovarë, atdhetarë, njerëz të zgjedhur. Midis tyre edhe burri i hallës, edhe ne nuk i dimë as ku i kanë varret, as ku janë. Janë të zhdukur totalisht.

Ça të them, si u çliruam. U kriju një zi buke, sepse forcat e kësaj brigade erdhën dhe morën të gjithë miellin, gjithë grurin madje edhe atë të magjeve që mblidhet, ku sitet mielli që mblidhet njëzet vjet, se s’e ngacmon kush, nuk e merr. Edhe atë e morën.

Pra, ka qenë një zi bukë e shumë e tmerrshme.

Përafërsisht filluan të na japin nga 250 gramë bukë misri, ose si themi, ne bukë kollomoçe. Ka qëllu që ato 250 gramë ndaq haji në mëngjes, ndaq në drekë, ndaq në darkë, kur të duash. Ka qëllu që në darkë një kore bukë misri duhej ta hanim, s’kishim tjetër, me çaj. “Çaj”..., pak sheqer, po me ujë.

A hahet buka kollomoçe me ujë? Paramendoje sesi ka qenë.

Surroi: Në familjen tënde ndodhej dhe një zhvillim, e ky është axha yt, është atentatori i Milladin Popoviqit.

Gjakova: Po. Deri në 1949-n, edhe Enver Hoxha e pranonte që Milladin Popoviqin e ka vra Haki Taha.
Pas 1949-s, e ktheu pllakën, se u prish me Jugosllavi, dhe tha: “Jo, e ka vra UDB-ja”. Dhe kjo është sepse, në të vërtetë, ai promotori për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, ka qenë Milladin Popoviqi.

Kanë qenë grupe të komunistëve, po këto nuk u morën vesh. Kështu që Milladini ish ai që i lidhi, i bëri dhe i futi në kulli, si thoshe. E këtë nuk do ta pranojë Enver Hoxha, se do të dalë i pari.

Enver Hoxha, bile si thonë dokumentet, e që megjithatë i kanë zhdukë pjesën më të madhe, por kanë mbetur këto gojore, të njerëzve ka mbetur, për shembull, ajo thânia e Tuk Jakovës, në ndonjë përvjetor aty, ishte anëtar i Byrosë, para se ta eliminonte Enver Hoxha. Ai tha: “Jo more, tha ne, Enverin e morëm nga rruga, se s’ka qenë nëpër grupe..., Hajde hyn këtu”, ku di unë, pra kështu.

Deri më sot nuk ka dalë naj variant tjetër. Sepse në qoftë se do ta vriste UDB-a, me siguri do dilnin të ulërinin malazezët që ua vranë malazezin atyre. Ajo është fakt.

Fadil Hoxha e thërriti nanën, erdhi të nesërmen a të pasnesërmen, e thërriti nanën dhe i tha: zonja Emine, nuk do t’ju gjejë gjë, familja.

E vërteta është Hakiu e vrau Milladinin. Pikë!

Edhe të tjerët e kanë pohu, ma kanë pohu këta që kanë qenë për arratisur në Amerikë, midis tyre ka qenë djali i këtij drejtorit të shkollës, gjimnazit, Luan Gashi, Ahmet Gashi drejtor i shkollave.

Luani, kur erdhi më 1948 ma pohoi, tha: “Hakiu, mori ne shokët, ishim 10-12 veta duke pritur në Gërmi që të arratiseshim, shkonim, dilnim jashtë. Hakiu mori mbi vete atë punë. E kreu aktin dhe për të mos ra në duar të serbëve, vrau veten”. Kjo është origjinal.

Këtë ma ka pohu pastaj edhe Hysen Tërpeza, i cili ka qenë në atë grup më vonë. Motivi ka qenë, sepse ka një rast, ka qenë një oficer i sigurimit, oficer i lartë i sigurimit të shtetit.

Unë e kisha ndëgju atë ngjarje që ky ia ka pasë tregu një djalit të axhës tem, po nuk kisha guxim që t’i afrohesha një oficeri i lartë, se unë me Sigurimin kam qenë gjak e lak, si të thuash. Dhe ai pastaj ma pohoi, kur vdiq Selman Riza, ma pohoi me gojën e tij, i tha: Kështu, kështu! 

Tha një miku im: “E kam ndëgju një histori... I thashë: A ma jep me shkrim? Ai tha: Kur të duash!” Për çudi, mbas tetë ditësh, vdiq, pa ia marrë unë me shkrim, por ma tregoj ngjarjen edhe një herë. Tha: “Unë isha duke bërë roje në një bazë të rëndësishme, shumë të rëndësishme, ku ishin strehuar Enver Hoxha dhe Milladin Popoviqi. Nga e kishte marrë vesh Haki Taha, nuk di, veç kur ka mbijë aty. Ne, tha, njiheshim nga Shkolla Normale e Elbasanit. Sipas konspiracionit të luftës nuk i dhamë të njohur që njihemi, hyra brenda dhe iu thashë që ka ardhë filani. Mirë tha, le të vijë. 

Ka hy brenda, ka ndejt një orë. Se çka është bisedu atje, unë nuk di, por kur ka dalë, ka qenë shumë i agjitum, domethënë i nervozum, si të thuash, veç kur kam ndëgju çka kanë ndodhë në Prishtinë. Ata janë njoftë, se të dy tuberkulozë, janë njoftë te doktor Kalmuri, që i kuronte të dy në Shqipëri.

Pastaj janë njoftë se, sa kanë qenë n’atë kohë njerëz me shkollë, një grusht njerëz në Shqipëri, të gjithë janë njohur njeni me tjetrin

Surroi: E tash i biri i kryetarit të Këshillit të parë Nacionalçlirimtar dhe nipi i atentatorit të Milladin Popoviqit e fillon jetën në Normalen e Gjakovës.

Gjakova: Nanën e pushun nga puna. Mbetem shumë keq. Me ndihmën e të njohurve këtu...

Surroi: Edhe pse ishte mësuesja e parë shqiptare, apo?

Gjakova: Mësuesja e parë shqiptare myslimane. Katolike ka pasur në Prizren. 

E pushun nga puna. Mbetëm keq. Dhe me ndihmën e njerëzve që i njihte edhe të arsimit, e njihte Fadilin, Zekirja Rexhën...njëjtë edhe ky elbasanasi që ka qenë i arsimit (Mehmet Gjevori, v.j.), ia dha një pension, rreth nja tre mijë lekë diqysh.

Surroi: Po, po flasim për...

Gjakova: Flas për kohën e viteve1948-52, derisa unë mbarova Normalen. Domethënë, ne kemi jetu ashtu siç kemi mundur, po shyqyr, mbas nja dy vjetësh, ime motër mbaroi shkollën, e hyri dhe ajo mësuese. 

Normalen e bënin me dy vjet. Unë kam qenë brezi i parë katërvjeçar që kemi mbaru shkollën Normale.
Natyrisht, mua më emrun diku në Prapashticë, mos qofsha gabim. Nuk kisha ndërmend, se s’kishim mundësi që të shkonim, as nga pikëpamja ekonomike, as qysh. Por, duke kaluar nga Prishtina erdha këtu në drejtorat arsimor, as që ma vunë veshin, se kush je çka je. Vendosa të mos shkoja. Do hyja argat diku, s’kish rëndësi, punë, sido që të jetë.

Duke kaluar nga Prishtina për Gjakovë, rruga kalonte nëpër Prizren, se s’ka qenë kjo rrugë e re, u ndal autobusi në Lipjan dhe zbres unë aty, kur një djalë i ri, atje polic, ishte vëllai i shokut tonë të shkollës. Ai më tregoi që Lipjani, në atë kohë, në vitin 1952 ishte totalisht i banum nga serbët, s’kishte asnjë shqiptar. Shqiptarët vinin nga rrethet, ata që ishin nëpunës, quhej Rrethi i Sitnicës, dhe kishte komitet ekzekutiv të Rrethit edhe Këshilli i Rrethit. E po më thotë edhe nji: “A po rri këtu?” “Po mor”, thashë, “do rri”.

Fillonte progjimnazi, që quhej, nga klasa e pestë deri në tetën, se katundet përreth kishin filluar. Aty mbrenda s’kishte fillore, se s’kishte banorë, s’kishte nxënës. Edhe unë u emërova mësues aty. Kisha një drejtor nga Gjilani, që jepte gjeografi. Kisha një shef arsimi, që jepte histori. Ishte edhe një mësues i muzikës që i jepte muzikë.

Mu m’u desh t’i jepja lexim letrar, gramatikë, gjuhë, matematikë, nga e pesta deri në tetën, në klasën e shtatë e tetë me dhanë edhe fizikë dhe kimi. Domethânë krejt lëndët...

Surroi:.... i gjithëdijshëm!

Gjakova: S’kishte tjetër. S’kishte kush. Ashtu ishte arsimi në atë kohë. Dhe, nuk po vinin vajzat. 
E thosha: pse s’vijnë ato? Sepse ai mësuesi ishte serb dhe nuk vinin prindtë, nuk pranonin që t’i shkonte në klasë mësuesi serb dhe nuk i çonin vajzat në shkollë. Shkova nëpër katunde, çoni vajzat, se do u jap edhe muzikë. Kështu ka qenë arsimi.

Surroi: Domethënë, regjistrohesh në universitet në Beograd?

Gjakova: Po, mbas dy vjetëve. E në të vërtetë, mbas një viti shkoj në Mitrovicë, Me tërhoqën atje. Shef arsimi ka qenë Xhabir Xhabiri, Tha: “A e di çka? Na është largu kujdestari i konviktit. Po t’i japim 12 orë honorar në klasën e gjashtë, edhe rrogën e merr në konvikt, si kujdestar konvikti dhe flen aty dhe ushqehesh aty. 

E diku, mos qofsha gabim, ka qenë mars, Mosha Pijade mbajti një fjalim, tha: “Ne e kemi ndrydhë rininë, prandaj do ta lëmë rininë më të lirë”. U mor vendimi që nuk ka më të drejtën e studimit me ta dhënë Komiteti Ekzekutiv i rrethit, i komunës.

Po që ata që kanë mbaru shkollën e lartë, paraqiten, regjistrohen. Kështu që edhe një pjesë e mirë e studentëve që s’kishin mundur, s’iu kishte dhënë e drejta e studimit nga Komiteti ekzekutiv, shkuam në atë kohë në Beograd. Rreth nja njëzet që i njoh unë që patën ardhë nga Gjakova, nga disa vise të tjera, nga Mitrovica, ku kam qenë. 

Edhe kështu shkuam, u regjistrova në Beograd, u regjistrova në degën e romanistikës. Ishte Gjuha frënge, Gjuhë e letërsi frënge dhe njëkohësisht, e kisha letërsinë botërore nën B, grupin e dytë që duhej ta bëja.

Surroi: E flisje serbisht?

Gjakova: Serbishten na gjakovarët e di që e copëtojmë fare, megjithatë serbishten e fillova ta mësoj pak... Ne kemi bâ serbishte në Shkollën Normale, por nuk e donim.

Ka qenë, edhe që s’ka qenë e drejtë, se një gjuhë huaj që ta mësosh, s’do të thotë se e pranon atë, po ashtu ishe, ajo mësuesja shpeshherë dilte nga klasa duke qarë se i bânim zhurmë... 

Fillova ta mësoj, duke e lexuar gazetën “Politika”, se në atë kohë bëhej luftë në Kore, 1949-50-51 edhe m’interesonte ndonjë ngjarje, kështu që aty pak a shumë e theva gjuhën.

Pastaj edhe në Mitrovicë kisha përveç shqiptarëve në konvikt, që ishin një pakicë, e kisha trefishin, katërfishin, ishin nxënës serbë, që vinin nga katundet ose nga viset.

Surroi: Tash, delli yt kryengritës shfaqet në Beograd, ndoshta edhe më herët... duket ke dashtë me i bâ do grupe ilegale në Gjakovë, po nuk ke pasur sukses..., por në Beograd e fillon një diçka që ka qenë krejtësisht e re dhe ka mbetur: Shoqata “Përpjekja”.

Gjakova: Frymën atdhetare, kryengritëse, si duash thuaji, revoltuese, revolucionare. E marrim revolucionare, po e marrim nga mjedisi jonë. Ne jemi matura që kemi bë grevën e parë jo në Serbi, por në të gjithë Jugosllavinë. Në vitin 1951. Të gjithë maturantët kishin të drejtat e ekskursioneve e disa të tjera, neve na u mohua kjo e drejtë.

Surroi: Në Gjakovë?

Gjakova: Në Gjakovë.

Edhe ne vendosëm krejt klasa, nuk shkuam në mësim 12 ditë. Në ditën e 11, më thërret nana më thotë, na ka thirrë drejtori i shkollës, mua dhe ty bashkë, me shku. Ka qenë Beqir Kastrati, drejtor i shkollës. Shkova te Beqir Kastrati, pak si me humor, kështu u tha: “Edhe ti, djali i shokut tim, iu bashkove kësaj greve!”

Unë nuk i thashë që jam një ndër tre organizatorët që kemi bâ këtë. Po i thashë nuk ndahem nga shokët... “Mirë, mirë”, tha, “e di, po thuaj atyre shokëve, le të vijnë, se na i kanë sjellë të gjitha të drejtat, ashtu siç thonë, ashtu do zbatohet”.

Pra, ajo fryma e revoltës, ajo fryma e kundërshtimit, ajo fryma e rezistencës, e krijimit na u ngjall, na u kriju aty, 15-16 vjeç, ma përpara kemi qenë fëmijë. 

A në Beograd pastaj dihej ajo punë. Përbuzja diskriminimi, mohimi, e shumë anë negative të jetës që na janë paraqitë atje, pavarësisht që ekzistonte e drejta e studimit etj., por megjithatë ishin njerëz të ngarkuar me shovinizëm. Kështu, dashtë e pa dashtë, m’u nxit ai damari, si thuajse ai delli i asaj që ne duhet patjetër të organizohemi, patjetër duhet ta shfaqim rezistencën, patjetër duhet të jemi bashkë e të bashkohemi.

Dhe me lindi ideja që, përveç grupit, atë që thuash, po e quaj sekret kështu të fshehtë që kisha unë, që e krijova, të krijohet edhe një organizëm legal, një shoqatë e studentëve shqiptarë që kjo të mbulonte ato anë tjera, domethënë që ne duhet të vepronim...

Surroi: Që ishte kulturore.

Gjakova: Kështu që së pari më interesonte zona e Maqedonisë, shqiptarët. Së pari kam bisedu me Ali Aliun, ka qenë student. 

Pastaj me disa tjerë, kështu që në katedrën e Albanologjisë, bëhej herë pas here, njëherë në dy muaj, një herë në gjashtë javë, orë letrare.

Dhe në atë orë letrare e llogaritëm kështu, unë do ta shfaqja propozimin edhe çka duam ne, dhe i bëmë gati disa fletë, që të nënshkruajnë të gjithë të pranishmit: “A janë dakord për krijimin e kësaj shoqate?”

Të gjithë të pranishmit e kanë kriju, kanë qenë, që u bënë ma vonë autoritete. E kam edhe fotografinë, e kam Mahmut Bakallin, e kam... këtë drejtorin e bankës, e kam shefin e ekonomisë që ka qenë. Domethânë, janë aty të pranishëm. E kam edhe fotografinë. Është e vetmja fotografi që unë e kam folë në këmbë, atë e kam.

Erdhi Tanjugu, demek për ta propagandu këtë, po në të vërtetë ishte për të na fotografu, për t’ia dhanë UDB-së ma vonë, se as nuk na propaganduan kurrkund, në atë kuptim, po fotografia jeme... 
marrja e fotografisë nga Tanjugu është bâ me pak marifet, domethënë që ta kemi edhe ne, kështu si historike, në kulturë etj.

Edhe unë e mora kështu, edhe e kam ruajtur atë fotografi, sepse gjatë arrestimeve tjera m’i kanë marrë të gjitha ato. Po atë e kam ruajtë edhe disa shumë fotografi tjera i kisha fsheh, e disha se çka mundet të më ndodh.

Surroi: Është interesant kjo ndërlidhje, domethënë në të njëjtën kohë kur ti shkon në studime, përafërsisht, ndodh aksioni i armëve.

Gjakova: Po 1956. Po, unë vij në Gjakovë në 1956, dimni ka qenë. Edhe ata burrat e mëhallës i thonë nanës: “Ike djalin, thuaji çka ke ardhë?”

Po më thotë nana, kështu, e shqetësume. “Oj nanë”, i thashë, “që të gjithë e dinë që ne s’kemi armë. Kemi pasë dikur, po tash s’kemi”. Sepse vishin një ditë, dy ditë dhe të gjithë ktheheshin, sepse mos i arrestonin, mos i torturonin.

Ka qenë aksioni i tmerrshëm, ju e dini më mirë se unë atë...

Surroi: Është aksioni i armëve, është shpërngulja e shqiptarëve në Turqi. Dhe ti edhe disa intelektualë, në mesin e cilëve Adem Demaçi, i cili futet në burg, në akuzat për Demaçin gjithmonë është deklarimi i tij rreth aksionit të armëve, deklarimi i tij rreth shpërnguljes në Turqi... 
Dhe ky fat të përcjell edhe ty.

Gjakova: Dashje pa dashje, një njeri që jeton me popullin e vet, nuk mund ta durojë më atë torturë, atë masakër që bëhej ndaj popullsisë.

Vdisnin njerëzit se i torturonin në njëfarë forme, në mënyra të tilla që nuk dukej sikur të ishin tortura të vërteta, se i futshin njerëzit lakuriqë në borë, në minus 15 gradë dhe i futshin pastaj në dhoma ku ishin me temperaturë 40 gradë, dhe kjo iu shkatërroi krejt organizmi, veshkat, etj.

Adem Demaçin e kam njoftë mirë. Erdhi nja dy vjet në Beograd, pastaj u kthy.

Surroi: Dhe ai ka qenë pjesë e grupit...

Gjakova: U kthye Ademi për çështje ekonomike, mbas dy vjetësh. Në Beograd ishte ashtu pak si hedhun, edhe u takuam. E motra kishte hy në punë në “Rilindje”, edhe erdhi në Prishtinë.

Vij në Prishtinë unë edhe e takoj. Dolëm këtu ku është “Sllovenia Sporti”. Ka qenë park atë kohë, s’ka pasë kurrgjë tjetër. Dolëm aty, biseduam, u pajtum për shumë çështje, për shumë. 

Nuk u pajtum për një çështje, tha: “në qoftë se neve do të na arrestojnë dhe ne duhet t’i shpalosim idetë tona, programet tona, njerëzit tanë”. Unë i thashë: “Si, si Adem? Ti do që të bëjmë ne gjyq si Dimitrovi në Berlin? Po a e di që ne s’kemi kurrfarë përkrahje? A e di që edhe kur po i dënojnë, njerëzit tanë, nuk i lenë me hy në gjyq as familjarët e tyne, se lene ma të hyjnë gazetarë apo ku po di unë. A e di që as Shqipëri, as kurrkush në botë nuk na ndihmon”.

Atij që t’i takojë fati, duhet ta marrë parasysh që mundet me vdekë ose mos hyn thashë, mos hyn. Mirë, tha mirë, mirë... e lamë nesër me diskutu këtë çështje.

Dola në orën katër. E prita një gjysmë ore, nuk ka ardhë, edhe unë u nisa pastaj për Beograd, hipa trenit dhe edhe s’jemi pa 40 vjet.

Arrestimi i tij... ka dalë ky farë biqim historiani... He ma, thuaja emnin... 
Është me origjinë nga Llapi, s’e di...

Surroi: Hakif Bajrami.

Gjakova: Hakif Bajrami. E ai nxjerr që dëshmitarët ia kanë punu Adem Demaçit. Unë i di mirë ato. Më mirë se unë s’i di kurrkush. 

I thashë, du të bëj një pyetje: “Deri më sot, ju thashë i keni nxjerrë nga arkiva çka kanë thënë dëshmitarët, qysh është zhvillu gjyqi e tjera... absolutisht nuk keni nxjerrë çka ka deklaru Adem Demaçi në burg dhe çka ka deklaru në gjyq?”

Tha “ato janë ashtu si janë”, e iku. Nuk pranoi me bâ muhabet. 

Unë me shoqatën, “Përpjekja”, marrim një turne në Shkup. Shkojmë në Shkup. Më afrohet një i Rinisë atje, përgjegjës. Ali Aliu më thotë: “Ky është i asaj”... e dike i kujt është, thotë, “mos u mërzit”

Surroi: I UDB-së.

Gjakova: E di, thashë, atë punë, dhe bëmë muhabete nga më të ndryshmet, etj. E mbarum orën letrare, u kthyem. Pastaj e morëm në turne në Prishtinë, orë letrare, bëmë në Normale, në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë edhe u kthym. Në Prishtinë na u bashkun edhe dy Ademat: Adem Demaçi dhe Adem Gajtani.

Unë dal me Nazmiun edhe me Shqipën, te “Unioni”, me e pi nga një birrë aty.

Surroi: Shqipja është motra, Nazmiu është dhëndri.

Gjakova: Nazmi Kajtazi po. Shqipja është e shoqja e Nazmiut, e është motra jeme.

Dalim. Aty ishin mbledhë këta, midis kafenesë, po bënin muhabet qysh me çliru e me luftu për Kosovën midis kafenesë. Mu m’kapi sikleti.

Tashi, unë e kisha njëfarë përvoje, nga baba, nga e rrethanat atëherë.

Surroi: Kush këta?

Gjakova: Po i marr vesh, po i shikoj. Kështu, na ishim një tavolinë ma andej. Ngrihem unë dhe ia bëj me sy Ali Aliut, hajde në banjë. 

S’kisha nevojë për banjë. Kur i thashë, më fal për shprehjen, i thashë “çfarë mutin po bisedonim mor aty?” A jeni në vete?, i thashë, “ju midis kafenesë”.

“Po e ka hap fjalën Adem Demaçi, ai po flet”. 

“Kthehu”, i thashë, “dhe preja fjalën menjëherë”.

U kthye e dhe u sheshit ajo punë. Por, siç thonë këta në jug, “E mori ferra uratën” dhe kishte dalë hesapi, qysh e tek. Erdhi hetuesi i Ademit në Beograd dhe i mori me radhë të gjithë studentët shqiptarë që ishin atje. 

Ditën e hënë...

Surroi: Kush ishte hetuesi?

Gjakova: Ka qenë një Çanoviq me mbiemër, kishte qenë udbash në Drenicë, e ia kishin ngarku landën atij.

Surroi: Se ka qenë edhe një shqiptar apo?

Gjakova: Jo, shqiptar..., pastaj të tregoj. Ditën e hanë i kishin thërritë disa që ishin ma neutralë kështu. Ishin trembë. Në një dhomë banonte Ymer Jaka dhe Bedri Dedja.

Ishin trembë këta të shkretët. I kishte thirrë UDB-a për herë të parë. Mua UDB-a më thërriste një herë në gjashtë javë, një herë në shtatë javë. “Hajde na trego se çfarë kemi vepru kundër Jugosllavisë”. Isha mësu me këto punë. Edhe shkoj i them atyne s’keni kurrgjë. 

Ditën e martë, i kishte thirrë pak edhe këta që ishin të atij grupi të midis kafenesë edhe disa tjerë.
Ditën e mërkurë, i kishte thirrë vetëm nja dy veta mos qofsha gabim, midis tyre Zekeria Canën dhe s’di kend.

Ditën e enjte na kishin lanë Ali Aliun dhe mua. Ali Aliun e kishin thirrë në orën 10:00, mua të fundit në orën 13:00. I thashë, “Ali, ne do na çojnë n’burg. “Po”, tha, “i kanë liru këta tjerët”. “Përgatitu”, thashë, “ne do të na çojnë në burg, se kot nuk na kanë lënë në fund. Ne jemi ëmbëlsinat, që i thonë, për ta”.
Shkoi Aliu, nuk e di. Shkoj unë: “Hajde pričaj... Fol çka ke bâ kundër Jugosllavisë”. Unë: “Kurrgjë”, ai nji oficer, “nuk mundem me këtë, hajde marsh në burg atje”.

E na çuan në burg, masandej dihet se çka bëjnë nja pesë ditë. Mbas krye të pesë diteve, u desht o me na liru, ose me na mbajt me valë ma të gjata. Na liruan. Nuk pranuam kurrgjë.

Ma nxorën deklaratën e Adem Demaçit “Čitaj, @!#@!”, (lexo, ...nënës... v.j.) aty në tavolinë.

Ditën e pestë, kur duhej me më liru ose me më mbajtë, e mora. Ato çështje të përgjithshme, jo me luftu me Shqipërinë për çlirim, për të drejtat kombëtare, etj. Po mu më interesonte ajo, muhabeti n’dysh, se unë kam qenë i tillë, që s’kam pranu kurrë të bisedojmë në sy të tre vetave. Ti thu po, unë them jo. 

Tashi tha, qeveria e di atë punë. Edhe e mora, edhe e gjej, edhe bisedën që kishim bâ ne atje, që duhet të bëjmë kështu, duhet të bëjmë kështu. 

Pra, kanë lindë shumë pikëpyetje për atë punë, po e kemi mbyllë. Unë jam taku pastaj kur erdha këtu, kemi hangër drekë e kemi bâ muhabet me Ademin, e ia kam thanë mendimet e mia se çka ka pasë të drejtë, çka s’ka pasë të drejtë, a ka bâ gabime, e s’ka bâ gabime etj.,... a është shfaq, a është deklaru ose s’është deklaru... 

Ato janë problemet që njëherë për njëherë, të paktën, nuk kemi pse edhe t’i nxjerrim, sepse nuk ia vlen në kohën e tanishme. Pak më vonë e shoh.

Surroi: Dakord! Por, ky është rasti kur fillon faktikisht persekutimi yti, i Ali Aliut, Zeqë Canës, si grup.

Gjakova: Po mirë tashi filloi ajo. I them Ali Aliut që për t’u mbrojtë, për atë muhabetin që keni bâ në atë farë kafeneje etj., thuaj që unë kam qenë me bark dhe kam shku disa herë në banjo, kështu që e di që është bâ njëfarë muhabeti, po konkretisht se çka është bâ nuk e di. 

Mirëpo tashi edhe ata nuk e hanë përrallat, se janë të specializum më shumë sesa ne që e mësum politikën duke na e përplasë kryet për muri, aq sa kemi mësu. 

Thashë “kështu që dashje pa dashje, janë detyru, se krejt i kanë dhënë ato. Edhe në hetuesi të këtyre shokëve të mi që kanë dalë dëshmitarë, se unë nuk pranova me nënshkru, nuk kam bisedu me Ademin për këtë punë. Ademi mund të ketë bisedu me tjetërkend, ka harru dhe ka mendu që e ka bisedu me mu. Unë nuk bisedoj për çështje politike, se ju e dini që e kam atë njollën politike që i axha jem e ka vra Milladinin...”

Surroi: Dhe në këtë moment ti vendos me shku në legatën shqiptare, apo më herët?

Gjakova: Në legatën shqiptare kam qenë nja dy-tre herë, nuk e di tamam, e kisha formulu arsyetimin. Në hetuesi, pastaj në burgimin e dytë me Ali Aliun, atë që ishte burgimi i drejtpërdrejtë, jo i Adem Demaçit, unë i kam pësu tre, e Ali dy...  Burgimi i dytë, me valë ma të gjata, jo pesë ditë, disa javë, tha: “Pse ke qenë?” 

“Kam qenë me e kërku pensionin e babës, sepse ju”, thashë, “nuk po më jepni stipendi - stipendi quhej bursa”. Tha: “Ti je fëmijë reaksionar. Axha yt e ka vra Milladin Popoviqin”.

Thashë, “Pse e merrni axhën për bazë dhe nuk e merrni babën tim që ka qenë kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar?” 

Aty s’kishin ç’thoshin. Edhe në Sigurim të Shtetit, kur të bie fjala, edhe këtu isha përgatit do të pranohej, s’do të pranohej arsyetimi është problem tjetër, po të paktën në fjalë të mos më zinin se qeveria, siç thotë populli, e ka dorën e gjatë, bân çka të duash

Surroi: A ishte pjesë e idesë sate të kërkosh... A ishte në atë kohë, a të erdhi ideja n’atë kohë për të shkuar në Shqipëri apo s’kishe ndërmend?

Gjakova: Jo, as e kam pas ndërmend që të shkoj në Shqipëri. 

Si korife të shoqatës që e krijuam, “Përpjekja”, më arrestuan mua dhe Ali Aliun. Me Aliun kishin biseda ma të gjata. Arrestimi im ka qenë i çuditshëm, i rastësishëm.

Mua më merrte malli për Kosovën. E kemi pasë gjashtë udhëtime me një të katërtën. Unë i kam harxhu ato, bile njëherë ia kam marrë edhe i Ymer Jakës atë, dikujt tjetër, nuk e di... ata s’i harxhonin. Më merrte malli për Kosovën!

Surroi: Çka është një e katërta?

Gjakova: Një e katërta e shpenzimit për tren. Treni kushtonte nga Beogradi deri në Pejë 2200 dinarë, ne paguanim 550 dinarë. Edhe udhëtoja.

Edhe unë kisha udhëtu, pa pritë e pa kujtu, si me thanë, edhe po rrinim me shokët e mi, të gjithë të vdekur këta, Kadri Kusari, Avni Lama, djali i tezës Abdurrahman Koshi, Qazim Lleshi, një burrë shumë i mirë, gjeograf, doktor i shkencës... Po pinim ka një gotë atje në kafene edhe po luanim pak me letra, po bënim muhabet. Ky djali i tezës ka pasë merak motora. Ka qenë i pari në Gjakovë që ka pasë motor. Flas për vitet ‘50.

Dhe i kishte çarë një gomë dhe kishte shku në postë. Atëherë duhej ta lajmëroni dhe të shkoje në postë, se s’ka pasur telefona që të fliste në telefon, që t’ia gjente një gomë, një shok në Beograd. Kur vjen, ulet afër meje dhe ma bën me dorë: 

“Ngrehu!” 

“Prit, prit o Abdurrahman...” 

“Ngrehu!”Prit more! Ngrehu!”

Kur e kthej kokën, i kishte mbet fytyra kaq. 

“Çka ke, hë?”

Më pëshpërit: “S’ka gjysë ore që i kishin arrestu Ali Aliun”. Pasi dihej, nuk më kanë gjetë mua aty. 
E përcjellim këtë burrë shumë e mirë, po s’e kishim në grup, Qazimin, dalim jashtë lokalit që ka qenë lokal “Sloboda” - “Liria”, aty iu them këtyre dy shokëve të mi Kadrisë dhe Abdurrahmanit: “Mu, në mos sonte, nesër më arrestojnë”.

Mbetën shokët. Ne kemi qenë shokë si ata musketirët, një për të gjithë, të gjithë për ne, në atë kohë.
Mbetën ata dy shokët. Kadri Kusari u mendu, tha: “Agim, a bëjmë diçka?” 

“Çka”, thashë “Kadri?” 

“Të përcjellim deri në kufi e ik, që të shpëtosh”. Me fjalë tjera, s’dihet a po na kthehesh ma ti si shok a jo. 

“Jo”, i thashë, “në asnjë mënyrë. Çka do që të ndodhë me mua, ju duhet të dini që mua nuk mund, neve nuk mund të na thyejnë, as mua as juve”.

Më thotë ky djali i tezës: “Do të vij në shtëpi”. Nana ishte në Prishtinë, kishte ardhë te motra. “Do vij unë me ty. Të ndodhë çka të ndodhë”.

“Pse me të gjetë edhe ty aty? Shko flej rehat, se ti s’mund të më ndihmosh, veç t’sharrosh edhe ti, ça don ti?”

Shkova atje. Kam pas një teze që kanë ndejt gjithë jetën me ne, analfabet njeri, që s’merrte vesh shumë nga këto. Më kishte bâ diçka për darkë. “Shko ti teze, flej, sepse unë...” 

Rashë, u mundova me fjetë, t’bâj një sy gjumë, dashje e pa dashje, ishte ajo impresioni i asaj.

Nuk erdhi kurrkush. Të nesërmen ngrihem në mëngjes, s’del kurrkush.

Dola dhe e thërras djalin e hallës. Hallës ia kishin pushkatu burrin, që nuk e dimë as sot e kësaj dite varrin. I kishte rritë djalin e madh, i ka pasë 13 vjet, e kishte rritë me thonjtë e duarve, që thonë. Ishim mësu tashi. E ndaj nga grupi, ishim me shokë, i thashë: “Mu me siguri sot më arrestojnë kështu-kështu”.

Ai u ngri. I iku gjaku, që me e pre, pikë gjaku në fytyrë s’e kishte. Çka do t’i thonte nanës vet?

Nana e katër vllazënve. Katër vllazën u zhdukën për tre vjet të gjysë. Demushi vdiq kështu, Hakija vrau veten, Enveri e ekzekutoi vëllanë e katërt pa faj, pa kurgjo, pa gjyq, pa hiç, në Shqipëri.

Çka do t’i thoshte nanës së vet, tash i vetmi nip, edhe ky po shkonte ku me ditë në cilin vend e po më thotë ka qenë një si gjysë invalidi me nji dorë, me njëfarë veture të invalidëve, vër, vër, vër, andej-ndaj, e thashë paska ardhë lajmi, tashi veç kur të vijnë. 

Shkoj në shtëpi. Kjo teze më kishte bâ një burjan, që i themi neve, me mish e me oriz. U mundova m’i hangër dy kafshata, t’them të drejtën, nuk më shkonin. Ishte presioni psiqik dhe po pritsha kur po vjen, veç kur ka bâ dera: bam, bam... hyri.

Ka qenë shef UDB-e, Laza Magovçeviq dhe e kishte marrë edhe një Stanojen me vete. “Agim”, tha, “kemi ardhë për ty”. Desha me thanë e di, po nuk i thashë.

“Ku i ke tha ato letra, ato tuat?” Më tha serbisht: “Agim, traži te Beograd”... Agim të kërkon Beogradi, me fjalë tjera, unë s’kam dorë. Ishte fjalë e fortë e tij.

“Të kërkon Beogradi. Ti mu m’i gjej ato libra, porosinë që e kam ato shkrimet e tua, ku i ke dorëshkrimet”. Stanoja mori librin e leximit të klasës tretë: vjersha Kuqezi, “Šta je ovo?” Çka është kjo Kuqezi, - ky thotë “Le, se o libër leximi”.

Nuk më la me u lidh, nuk e la policin. Pse Llaza nuk u la, nuk i la policët me më lidhë?

Në 1956-n u mbyll një vit gjimnazi. Gjakova, djep i kulturës më Normale, me tjera, mbyllën shkollën e mesme. Merre me mend! Një popullsi qyteti kishte nja 20 mijë banorë në atë kohë. Dhe unë lexova në orë letrare poemthin “Bir i sharraxhiut”.

Unë jam bir i sharraxhiut
dhe ashtu duhet të jem,
por biri im
kurrë nuk do të jetë sharraxhi.

Kjo ishte poenta.

Ishte bâ nami! Nacionalisti, shovinisti, anti-jugosllavi, ku po di unë, Komiteti i Lidhjes Komunistëve, çka kanë bisedu... Hala pa i hap sytë mirë, si me thanë, bam bam dera. Milici: “Hajde”, tha, “se po thirrë Llaza”. Shkoj te shefi i UDB-së, kështu siç jemi ulë karshi.

Filloi me uluritë, me bërtitë... Çka ke shkru ashtu, a di çka të bâjmë ne, a di kush jemi ne kështu... 
Bërtitte etj. Kërcënime nga më të ndryshmet ku di unë... Unë veç po e shikoja, kështu, sy më sy... Uli zânin, uli zânin edhe erdhi, heshti. Edhe unë heshtja.

Unë i thashë: Nuk e di se çka ju kanë thënë juve, por ky është një poemë për një shtresë të popullsisë, e cila nesër, me zhvillimin e Jugosllavisë do ta gjejë vendin në industri me the e të thashë, të thashë më the, dhe këto arsyetimet... po është përkthy edhe sërbisht, mund të botohet në një revistë në Beograd, thashë atje dhe atëherë, po m’ndigjonte, po m’shikonte kështu. 

Më tha copë: “Agim, unë nuk du shqetësime këtu në Gjakovë. Nuk kuptoj nga ato që m’i thu ti, unë nuk du shqetësime në Gjakovë. A u kuptum?”

“U kuptum”. 
“Hajde, ditën e mirë”. 
“Ditën e mirë”.
Kaq ka qenë.

Ai e kishte kap Cen Zherkën, i tha: “Çka është more ky djalë! Tha, po s’i lash gjë pa i thanë, e pa iu kërcënu e atij nuk i lëvizi syni fare”.

E po thotë Ceni, “Çka keni bâ muhabet”, i thashë “këto e këto”. Prandaj, ai nuk e la me më lidhë dhe tregoi njëfarë respekti, pavarësisht se ishte udbash.

Me 29 prill, e kam një ndër ditët më të bukur të jetës.

Më kanë arrestu dy herë, me 29 prill.

Herën e dytë, në burgimin e dytë. Më çoi Llaza në Pejë, më hipën në tren atje, në Pejë, bajagi më lidhën. Edhe po shkoj.

Në Fushë-Kosovë ishte mbledhë një kallaballëk i madh, ku udhëtonin njerëzit, shkonin për 1 Maj n’pushime – e mërkurë, e enjte, premte, pushim, shtunë e diel, natyrisht pushim, katër ditë. Dhe midis asaj turme po çajmë, një shok i klasës: 

“O, Agim a ke vend, a?”

“Po”, thashë, “Ismet, edhe të rezervum!”

Nejse, më futën në kupe ata. Kishte bâ çka kishte bâ, Ismeti, shok klase, e kemi marrë maturën, hala është gjallë, një ndër të vetmit që ka mbetë, e kishte ça atë turmë, se qysh ka hypë s’e di edhe kishte ardhë aty te kupeja jeme, e zgjatte kryet ka njëherë e më shifte. Unë dojsha me fjetë, se e disha nga burgu i parë, se sa të lanë me fjetë e qysh të lanë me fjetë.

Atje pastaj më futën në nëntokë, në podrum.

Surroi: Në Beograd?

Gjakova: N’Beograd. Nuk di kur o nata, kur o dita. Sa o sahati, sa s’o sahati. Vinin ma prishnin gjumin orë pa orë, pa gjumë më trullosën fare, m’i thyen dhâmbët, më goditën në qafë e në krye etj. dhe kjo nja 14-15 ditë të mira. Edhe po më thotë ai Aleksandër Zakiq, e aty ka qenë ai një shqiptar, Xhavit Shabâni, kapiten i UDB-së, i rrethit të Vitisë...,

Surroi: Po ka qenë i shumë i njohur...

Gjakova: Ky po m’tha, tha: “Ndigjo, ne e provum. Me ty nuk bon fajde dajaku!” 
Unë i thosha: “Jo, s’kam bâ gjë, e ju mundeni me bâ qysh të keni qejf. Nuk e kam bâ, se nuk mund ta pranoj atë s’e kam bâ në thonjëza. Nuk mund ta pranoj atë që s’jam... Unë nuk jam për këtë qeveri”, me gojë.

“Pse?”

“Sepse kjo qeveri nuk i shikon të gjithë qytetarët e saj njësoj. Mua pse nuk më keni dhënë stipendi, bursë?”

“Ti tha je fëmijë reaksionar, si me të dhënë stipendi”. Dhe kështu vazhdoi, dhe tha “ty nuk bân”. 
Më çuan në qeli, kur vjen ai gardiani: “Hajde”. Unë kujtova se po më çojnë në dhomë të hetuesisë prapë dhe i kishin pasur do kthina edhe ma poshtë në thellësi atje nëntokë, me futën në një qeli sa gjysma e kësaj tavoline kështu e gjânë, ndoshta e gjatë edhe pak ma shumë. Ajo ishte derë hekuri, e mbyllur hermetikisht me llastik rrethi, mos me hy e mos me dalë ajri, pa dritë. Tamam si me të shti në kuti në varr.

Duhet me i provu edhe këto sende, thashë vetvetes. Pas një periudhë kohe, filloi me ra si një lagështi, si vesë, dhe unë fillova të mos e ndiej trupin tim. Sikur kjo këmbë është më e gjatë, më e trashë, më e hollë, më e shtrembtë. M’u mjegullu vetëdija edhe më ka ra të fikët. Tashi aty a kishin futë gaz, a kishin futë naj drogë, po ata e dishin sa duhet me më lanë, që të mos vdes, se mund të vdisja. Kur vij në vete, jam në dhomë të hetuesisë i shtrim n’kokërr shpinës, si themi ne. Edhe po du m’u çu kështu, m’u kfill pak. Uh, po më dhemb kryet këtu mbrapa. Ishte bâ pak si gungë. Më kanë tërheq për kambësh nëpër shkalla, në prag dere, ku e di unë - kryet kungull hesapi, punë e madhe.

Dhe më hipi sipër ky kështu hetuesi, ky Aleksandër Zakiqi, nënkolonel i UDB-së, me ironi tha: “Hë, si po e ndien veten?” 

Siç më thonin këta shokët e mi, “ti nuk je budallë, po super budallë”, unë i thashë: “S’ka ma mirë”.
Kur ia kam thënë këto fjalë si ta kishte picku gjarpni, po u nervozu ai priti po i them pse po më bâni kështu që po më bâni kështu, çka do të thotë kjo.... Kushedi çfarë përgjigje pret ai. Por t’i thuash në atë gjendje, “s’ka më mirë” dhe që të mos e shfaqë nervozizmin e tij që kapi nervoza shumë ma ktheu në shpinën e dul përjasha, i bâni me dorë atij kapitenit, vazhdon ti. 

Kaloi edhe kjo, nesër e pasnesër, nuk ka, s’vjen kurrkush me më marrë në pyetje, me më torturu. U bâ një javë, hiç! U bânë e gati dhjetë ditë, hiç! Kaloj kjo, kur vjen një burrë hyn në qeli, këta të dy u ngritën kambë gaditu. Nënkolonel ai ishte naj gjeneral, ku di unë, shef i UDB-së, një burrë rreth 55 vjeçar, me një trup mesatar.

Tha: “Agim, tha kam ardhë me të marrë me shku për drekë në ‘Mazhestik’”.

‘Mazhestiku’, po e din ti qysh ka qenë ai, lokali ma i mirë.

“Për ndër, edhe unë kam qejf me hangër nji drekë, se këta po më mbajnë me lëng grashaku, bizele, në lëng bizele, që i ka nja katër-pesë kokrra të forta, të verdha që as dhâmtë e kalit nuk i hanë ato edhe me 400 gramë bukë teorike”, se sa gramë ka pasur ajo bukë s’e di. 

“Po mirë-mirë”, tha, “po thuaj nja dy-tre fjalë të ktyne çka po du unë”. 

“Çka kam pasë, e kam thënë, s’kam çka thâm”.

“Agim”, tha, “mos u merr me politikë”. 

“S’mirrna me politikë”. 

“Pra, sikur ta kesh dajë Enver Hoxhën nuk kalon mirë”. 

“S’kam pse me e pasë dajë...”, ishte puna e Legatës kjo, kushedi qysh e kanë mendu.

“Ndigjo, ndigjo çka du me t’thanë”, këtu ka pasë plotësisht e drejtë. “Të gjitha policitë politike janë njësoj në të gjithë botën, varet se kujt i shërbejnë. Po e njejta polici politike, sigurimi shqiptar, njësoj po atje i shërbenin Enver Hoxhës, këtu i shërbenin UDB-së, Marshallit, Serbisë, etj.”. Edhe iku.

Mbas këtij, nuk erdhi kurrkush më. U bâ nja dhjetë ditë qetësi e madhe në qeli atje. M’i çuan do tabakë letra me shkru, demek me shkru kot. Unë ato i marr, i pres letrat, edhe bëj ca letra bixhozi, i vizatoj, me luajt me to, me kalu mërzinë, se u dukke me shëtitë me numëru deri në 15 mijë. Nuk kalohej dita kurrqysh.

Kur vjen ai kapiteni. “Hë, si je?” Po më pyet kapiteni tash që si je? Deri dje më kisha ra me grushta me kijamete këtu. 

Thashë: “Mirë”.

“Trpi još malo - duro dhe pak”, tha.

Pse ishin këto fjalë, nuk i kuptoj, pse e tha? Mbas dy dite vjen ai gardiani: “Hajde me dalë”. Ishte marrë vendimi me më liru. Gjatë kohës që unë kam qenë në burg, që s’e dishin ku jam, dhe në fillim, një herë s’e dishin a jam gjallë a ku më kanë çu, shkon nana te Fadili, Kryetar i Këshillit Ekzekutiv ka qenë Fadili në atë kohë, Kryeministri i Kosovës. E pret menjëherë.

Fadili s’dinte. Ai kur mur vesh që më kanë arrestu javën e parë. Edhe i thotë, Fadil, e nuk thotë e kanë arrestu, siç thoshim ne, po “e kanë zanë Agimin”. Më tregonte nana, “Kur i thashë këto, u pre!” Edhe tha, “...nuk di ku e kam, a e kam gjallë ose s’e kam...”. S’dishin ku më kanë çu, a më kanë ç’u në Beograd, a më kanë arrestu.

“Zonja Emine, shko”, tha, “në UDB-ë, dhe kërkoje djalin edhe në emën t’imin”. Ishte fjala e fortë kjo.

”Fadil”, tha, “e bâmë luftën, e bâmë mullarin, po nuk ia lidhem kryet mirë mullarit, e na u kalb mullari”.

Fadili i tha: “Jo zonja Emine, ate që e deshtëm e arritëm”. 

“Nanë”, thashë, “qysh ke folë ashtu?”

”Pse”, tha?

”Po, a e di që krejt ju kanë ndigju”. 

“Po mor”, tha, “m’bërtitshin në UDB-ë çka ke fol ti me Fadilin”. 

Ti e di që janë përgju krejt ata, çka ke folë ti me Fadilin. Fadili është detyru me t’i thonë ato fjalët e mullarit, “që çka deshtëm e mbërritëm”.

Surroi: A është ky shkasi që të ka shtyrë në Shqipëri? Vendimi për të shkuar në Shqipëri.

Gjakova: Jo, jo. Ta them atë për Shqipërinë. Se ata na kishin përgatitë, ajo që ka qenë dy vjet, pa gjyq, pa kurrgjë, që të na çojshin në Goli Otok. Mirëpo opinioni u trondit një herë në Gjakovë. U trondit shumë. U trondit edhe opinioni, me Fadil e me krejt këta, se na njihshin familjen, e dashje padashje, e ndikoi ajo, ndikoi te UDB-a, se qysh mund ta dënosh pa faj, pa kurgjo, qysh. 

Por ka edhe një lajm që mund të jetë, tamam mund të mos jetë, nuk e di. Në atë kohë shkonte Hrushçovi në Shqipëri dhe atje ishe folë një fjalë që në Beograd po arrestohen studentët shqiptarë. Edhe kjo nashta ka luajt rolin e vet. Nejse na liruan, me fjalë tjera. Kur dal, e takoj Ali Aliun.

Ai s’e dinte që unë isha n’burg, e unë disha për te. 

“Edhe ti je këtu?” I thashë po, dhe “mos me pas ardhë unë, ty ta kishin lujtë fenë tamam”. 

“E di”, tha, “e di, tashi po e kuptoj mirë”. 

E gjatë kohës që isha unë në burg e ka thirrë UDBA nanën teme dhe i kanë thanë bëjë kërkesë, nënshkruaj kërkesë për shqyrtim shtetësie. Unë i lindur në Kavajë, në Shqipëri.

Nana nuk ka firmosë, nuk ka shku, s’e ka pranu edhe ka dalë e o konsultu me burrat e mahallës, njerëz që ishin të afërt që mund të bisedoje me ta. Edhe ata i ka thanë, “Zoja Emine, o puna me e pshtu djalin”. 

“Qysh ashtu?”

“Ashtu duhesh edhe ti me e ba”.

Edhe ajo, thotë mirë shqyrtojeni. E shqyrtuan, ma hoqën shtetësinë jugosllave, nuk jam më shtetas jugosllav.

Edhe mbeta në hava. E, tash duhet të them një gjâ! Vij në Prishtinë te motra.

Kur po e takoj: “O Agim”, tha, “Mirë se je kthy, ku je, qysh je?”

“Mirë”, thashë, “Rexhai”. Rexhain e takoj.

Po tha: “Dëgjo! Hajde nesër te unë kështu, edhe do fillosh me punu në Radio Prishtinë”.

“Dëgjo”, i thashë, “unë jam as në tokë as në qiell”.

“Qysh mor?”. Po i kallëzoj kështu, kështu.

I çoi duart përpjetë.

“Unë jam”, thashë, “as në tokë as në qiell. S’di se ça do bëhet me mu”. 

E natyrisht që ma hoqën shtetësinë, sepse unë as kam bâ kërkesë asgjë. E thirrën: “Ti do të bësh kërkesë, tash do ta çojmë kërkesën në Legatë, atje të njohin ata ty, se dinë kush je, dhe do ikësh...”

“Jo”, tha, “më fal, këtu tha mbahet si shtetas i huaj, e s’je ma shtetas jugosllav, nuk mundesh”. Atëherë më arrestun, e më torturuan edhe nja pesë ditë, dhe më çuan në kamp përqendrimi.

Surroi: Për të huajt.

Gjakova: Dita e arrestimit, i tretë, me 29 prill 1960.

Surroi: Ky është kampi për të huaj.

Gjakova: Po për të huaj. Ka qenë në Gerovë.

Surroi: Në Kroaci.

Gjakova: Në Kroaci, midis maleve. Mu, më 29 prill, kohë e mirë e butë, isha me mangë të shkurta. Katër ditë e pesë net nën shkallë. Shkallët ishin si me të futë në atë kutinë aq. Me fjalë tjera kështu katër dite, pesë net kam ndejtë, kur më kanë nxjerrë prej aty, nuk mujsha m’i drejtu shpinen, nuk e di qysh nuk u bâna sakat.

Aty më çun me tren, tre milicë, dy oficerë të UDB-së, një andej një këndej, po i lidhur, po jo me tortura. Neutral kështu.

Kur mbërrijmë, filloi nji të ftohtë, erdhi një “koshavë” prej veriut, me frymë. Kur kemi mbërri në Zagreb në orën tetë, gjithë natën, në tren Beograd në mëngjes, Zagreb në tren në ora tetë mbrëmje. U bâ ftoftë e ma ftoftë. Fillova me mërdhi.

Atëherë treni ngjitej Maleve Dinarike nga Zagrebi, me zbritë në Rijekë. Kemi mbërri në krye të atyne maleve, ishte një qytezë quhej Delnice. Kemi zbritë aty në orën katër të mjesit. Kishte ra borë.

Temperatura minus 12, minus 15, ku e di..., e unë me mangë të shkurta.

Më futën në një podrum të milicisë. Ishte nja një pëllëmbë me ujë. Frynte veriu... Nga ora katër deri në orën tetë pa dhjetë minuta, më kanë lanë aty në atë ujë.

Fillova si lejleku, fut një kambë e nxjerr tjetrën, mirëpo e pashë se më mirë ishte ta leje në ujë, sesa po e nxjerri, ajo ngrinte menjëherë pantallonat. Fërkohesha andej që të mbrohesha... se si kam shpëtu gjallë, prej aty pa një sëmundje, pa ndonjë dreq, nuk e di. 

Fillova m’u ftofë... m’u ngri, krejt m’u ngri. Kur më kanë nxjerrë, më futën në një mikrobus. Nja 15 vende. Të gjithë ishin mbështjellë me pallto, me kapuça, për temperaturë. Unë me mangë të shkurta.

Habiteshin njerëzit: ç’është ky?.Më çuan në kamp përqendrimi.

E aty, masandej, e bâna kërkesën e ia çova ambasadës. Edhe ata më zvarritën me pa kush jam, çka jam, edhe ata me ia dhânë, a mos me ia dhânë, e edhe më degdisën në Shqipëri.

Surroi: Nëse pajtohesh, po e ndërpresim këtu këtë pjesë të rrëfimit. Kjo është pjesa e parë e rrëfimit, dhe po kalojmë pjesën e dytë të rrëfimit, se kjo bora e e përmendur e Delnicës po ma përkujton Dervish Shaqën, kur thotë: “Kur ta kthym moj Kosovë shpinën e lamë bore, e gjetëm dimën”. 

E kjo tamam është hyrja për pjesën e dytë, për Shqipërinë. (vijon)