Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arifi: Dialogu mund të marrë 20-30 vjet nëse nuk ka përcaktim të temave

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi mund të marrë 20-30 vjet dhe prapë të mos ketë rezultat, nëse nuk ka seriozitet në përcaktimin e temave.

Arifi ka thënë në “60 Minuta te KTV-së se BE-ja nuk po tregohet serioze në këtë proces, pasi sipas tij BE-ja është e humbur në kohë dhe hapësire, duke mos dashur ta pranojë realitetin që po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.

“Problemi është që fasilituesi nuk është serioz, dhe kjo e dëmton edhe dialogun dhe përfundimin e dialogut e vë në pikëpyetje, dhe këtu dëmtohet pala kosovare sepse Kosova është ende shtet fragjil. Pjesa më e madhe e akademikëve në botën perëndimore po e lëshojnë alarmin se gjendja në terren është fragjile dhe BE-ja po shtiret kinse nuk po ndodh asgjë, dhe po mundohet ta qetësojë situatën se kinse nuk është aq shqetësuese. Pikërisht pasi nuk kemi kornizë të dialogut, atëherë të dy palët po e gjuajnë topin nga njëra anë në anën tjetër. Secila palë shprehë dëshirat e veta ku nuk merren parasysh fare Kushtetutat e vendeve. Kjo e komplikon edhe më shumë situatën nëse nuk kemi seriozitet sa i përket përcaktimit të temave. Në të ardhmen komplikohet çështja nëse nuk kemi përcaktim të temave, mendoj se dialogu mund të shkojë deri në 20 ose 30 vite dhe të mos ketë rezultatin e duhur”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, BE-ja e ka një mangësi të madhe, që siç ka thënë është mallkimi i tyre që udhëhiqet nga demokracia e pakicës.

Arifi ka thënë se edhe SHBA-ja nuk është shumë e qartë sa i përket Kosovës. Ai ka cituar ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, e cila ka deklaruar se SHBA-ja po e njeh nganjëherë Kosovën si gjysmë shtet.

Arifi ka kërkuar që Kosova të aktivizojë diplomacinë dhe të lobojë për t’ia sqaruar botës se cili është dështimi.

Edhe Nuk pritet diçka konkrete nga dialogu këtë vit, Qeverisë i kërkohet më shumë angazhim Arbëri Nuk pritet diçka konkrete nga dialogu këtë vit, Qeverisë i kërkohet më shumë angazhim

“Kosova duhet ta aktivizojë komplet diplomacinë, ta bëjë një upgrade. Duhet të bashkëpunohet me të gjithë intelektualët jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës. Duhet t’i shfrytëzojmë këto asete që të lobojmë, t’ia sqarojmë botës se cili është dështimi”.

Ndërkaq lidhur me punën që është duke bërë Ministria e Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti, Arifi e ka vlerësuar atë si të dobët.

“Nëse e kishim bërë me nota studentore, një 6 e lodhur, mezi e kanë kaluar provimin sa i përket politikës së jashtme. Vetëm ndërrimi i ambasadorëve në atë mënyrë si është bërë tregon sa janë seriozë këta në politikën e jashtme. Kjo për mua është një kthim prapa sepse prej kësaj qeverie kam pritur që të jetë më progresive e jo regresive”, është shprehur Arifi.