Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të hënën në agjendë

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të jetë të hënën në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Në agjendën e Komitetit të Ministrave, që gjendet në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, ndër të tjera është aplikimi për anëtarësim i një shteti. I vetmi shtet aktualisht që është duke aplikuar për anëtarësim është Kosova.

Në të vërtetë edhe këshilltarja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi, e ka konfirmuar se aplikimi i Kosovës është në agjendë.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës është në agjendë të takimit të Komitetit të Ministrave. Shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi në Twitter.

Kosova aplikoi zyrtarisht më 12 maj të vitit të kaluar për anëtarësim në Këshill të Evropës.