Arbëri

Apeli ia kthen Themelores vendimin për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-anëtarit të ISIS-it

Gjykata e Apelit ia ka kthyer mbrapsht Themelores në Prishtinë aktvendimin për konfirmim të aktakuzës ndaj Hysri Selimit, ish-anëtarit të ISIS-it që akuzohet për spiunazh në favor të BIA-s. Apeli ka vlerësuar se Themelorja nuk bëri analizë e vlerësim të provave kur e nxori aktvendimin. Megjithatë, një pjesë të ankesës së mbrojtjes së Selimit, Apeli e ka rrëzuar meqë konstatoi se provat janë marrë në mënyrë të ligjshme.

Vendimi për ta konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-pjesëtarit të ISIS-it, Hysri Selimi, i është kthyer mbrapsht Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë nuk e argumentoi dyshimin e bazuar mirë meqë nuk ia bëri një vlerësim provave, por vetëm i citoi ato.

Ish-administratori në zyrën e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it, sipas aktakuzës, i ka çuar informata BIA-s serbe lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste, informata për veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK -së, si dhe për vrasjet gjatë luftës.

Apeli ka konstatuar se Themelorja nuk e ka bërë të qartë se cilat prova iu dukën në shikim të parë të besueshme kur e konfirmoi aktakuzën ndaj Selimit.

“Gjykata e Apelit gjen se mungesa e arsyetimit në vendimin e ankimuar, si lidhur me dyshimin e bazuar ashtu edhe me pretendimet e mbrojtjes për mënyrën e sigurimit të provave të marra nga mediat, bën që aktvendimi i shkallës së parë të jetë i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të KPPK-së dhe, si i tillë, juridikisht i paqëndrueshëm. Për shkak se ky mungim i arsyetimit nuk i mundëson kësaj gjykate të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit të ankimuar në raport me pretendimet ankimore, aktvendimi i shkallës së parë anulohet dhe çështja kthehet në rivendosje”, thuhet në aktvendim.

Kolegji i Apelit i kryesuar nga Mentor Bajraktari e ka problematizuar po ashtu mospërgjigjen e Themelores në kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me provat e siguruara nga mediat.

“Edhe pse është konstatuar ekzistimi i autorizimit të prokurorit dhe sekuestrimi formal nga policia, gjykata e shkallës së parë ka mbetur në nivel të përshkrimit të veprimeve procedurale, pa iu përgjigjur pretendimeve të mbrojtjes për mënyrën e marrjes, përmbajtjen dhe autenticitetin e këtyre materialeve. Gjykata e Apelit gjen se mungesa e arsyetimit në vendimin e ankimuar, si lidhur me dyshimin e bazuar ashtu edhe me pretendimet e mbrojtjes për mënyrën e sigurimit të provave të marra nga mediat, bën që aktvendimi i shkallës së parë të jetë i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të KPPK-së dhe, si i tillë, juridikisht i paqëndrueshëm”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Megjithatë, dy pika të ankesës së mbrojtësit të Selimit, Apeli i ka hedhur poshtë duke konstatuar se Prokuroria Speciale i ka siguruar provat në mënyrë të ligjshme.

“Në pikën II ka konstatuar se provat e kundërshtuara janë të lejueshme dhe të njëjtat do të administrohen në shqyrtimin gjyqësor. 
Në pikën III ka vendosur që procedura të vazhdojë me shqyrtim gjyqësor sipas aktakuzës PPS.nr.109/2024, të datës 09.09.2025”, thuhet në aktvendim.

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, i pandehuri ka deklaruar “se këto veprime i ka ndërmarrë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike” dhe se kurrë s’do të bënte diçka kundër  kombit të tij.

Megjithatë, Selimi në shqyrtim fillestar i ka mohuar akuzat duke pretenduar se veprimet e tij i ka ndërmarrë në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Në paraburgim lidhur me veprën penale spiunazh janë gjashtë të akuzuar si bashkëpunëtorë të BIA-s: -ish i dënuari për terrorizëm, Hysri Selimi, togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, ish-polici Muharrem Qerimi, ish-doganieri Bedri Shabani, punëtorja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, si dhe ish-drejtuesi i organizatës “Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike”, Fatmir Sheholli.