Arbëri

Apeli evidenton 15 shkelje të Themelores kur liroi të akuzuarit për “Veteranët”

Të shumta janë shkeljet e evidentuara nga Apeli për trupin gjykues që liroi të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”. Sipas tij, shkalla e parë gabimisht nuk i ka administruar si prova dëshmitë e tyre në Prokurori. Po ashtu, gabimisht ka thënë që lista e veteranëve është bërë në pajtim me ligjin paraprak e jo me atë aktual, gabimisht nuk i ka shqyrtuar si prova aplikacionet e 19 mijë e 500 personave që pretendohet se nuk i kanë plotësuar kriteret, por vetëm listën me emra, si dhe gabimisht i ka konsideruar audio-incizimet si “biseda në kuadër të shprehjes së mendimit të lirë”

Siç nuk ndodh shpesh, Gjykata e Apelit ka dhënë vërejtje të shumta për punën e Gjykatës Themelore në rastin e njohur si “Veteranët”.

Shkalla e parë i kishte liruar të gjithë të akuzuarit. Sipas trupit gjykues, dyshimet për abuzim me listat e veteranëve nuk ishin vërtetuar.

Në këtë rast të akuzuar janë anëtaret e Komisionit që kanë hartuar këto lista: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari. Ata përballen me akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Megjithatë, trupi gjykues në Apel ka gjetur shumë shkelje në vendimin e shkallës së parë.

Një pjesë e të akuzuarve nuk kishin pranuar fare të deklaroheshin gjatë gjykimit, por në fazat e hetimeve kishin dhënë dëshmi në Prokurori. Këto dëshmi nuk ishin pranuar si prova. Por, Apeli thekson që kjo është gabim.

“Arsyetimi se e drejta e heshtjes në fazë më të vonshme të procedurës duke i dhënë peshë edhe për fazën e mëhershme kur kanë pranuar të deklarohen, përbën zbatim të gabuar të dispozitës procedurale që i garanton heshtje të akuzuarit. Rrjedhimisht kjo mund ta vërë në pozitë të pabarabartë në raport me faktet, sepse pikërisht në kohën kur ka pranuar që të deklarohej, ai ka qenë i njoftuar dhe ai më së miri e di se për cilat fakte është deklaruar, gjë që faktet e tilla mund të jenë të trajtuara edhe në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në gjetjet e Apelit.

Një nga çështjet më të rëndësishme ku ka gjetur shkelje Apeli është fakti që trupi gjykues i shkallës së parë ka konstatuar që listat e veteranëve ishin aprovuar bazuar në ligjin paraprak për këtë çështje e jo me ligjin aktual. Një fakt i tillë i amnistonte të akuzuarit nga futja në listë e emrave që ligjërisht nuk i plotësonin kriteret. Por, për Apelin një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Arsyet e dhëna nga gjykata se vendimet janë marrë nga Komisioni, sipas ligjit paraprak, përveçse rezultojnë në kundërshtim me faktet thelbësore të çështjes njëkohësisht rezultojnë se janë në shpërputhje edhe me provat materiale, përkatësisht audio-incizimet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ish-prokurori Elez Bakaj kishte hartuar një listë prej 19 mijë e 500 personave që, sipas tij, kishin fituar statusin e veteranit pa i plotësuar kriteret. Gjykata e shkallës së parë, sipas Apelit, fare nuk i ka trajtuar këto aplikacione, por si provë në gjykim e ka marrë vetëm listën me emra.

“Nga kjo rrjedh se gjykata ka administruar listën me emrat e personave, por jo aplikacionet që përbëjnë provë të drejtpërdrejtë në raport me detyrat e të akuzuarve që ngarkohen, në mënyrë që të vërtetohet çdo rrethanë faktike që është e rëndësishme për të vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike”, ka thënë Apeli.

Siç nuk ndodh rëndom, Apeli ka përdorur disa herë shprehjen “Gjykata e Apelit nuk mund të pranojë arsyet e Gjykatës së shkallës së parë”, e një gjë të tillë e ka bërë veçanërisht kur ishin në pyetje audio-incizimet. Shkalla e parë incizimet e mbledhjeve të komisionit i ka cilësuar si biseda që shprehin vetëm mendimin e lirë e Apeli thotë që ato audio-incizime nuk kanë të bëjnë me mendim të lirë, përderisa flitet për punë zyrtare.

“Deklarimet e të akuzuarve në audio-incizime janë shprehje të mendimit të lirë, sepse ato janë për punën zyrtare e që ndërlidhen me detyrën e tyre zyrtare që ata kanë qenë të ngarkuar ta kryejnë sipas vendimit për emërimin e tyre. Rrjedhimisht arsyet e tilla janë në shkëputje të vlerësimit të provave nga neni 361, ku gjykata duhet t’i vlerësojë të gjitha provat një nga një dhe në lidhshmërinë e tyre”, sipas vendimit të Apelit.

Në rigjykim shkalla e parë duhet të korrigjojë së paku 15 gabime të bëra herën e parë. Të parën gjë që duhet ta bëjë, sipas Apelit, është që t’i shqyrtojë të gjitha provat një nga një.

Dëmi i pretenduar nga futja në listë e veteranëve që nuk i plotësojnë kriteret pretendohet që është gati 100 milionë euro.