Mungesa e gjyqtarëve serbë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka shkaktuar anulimin e të paktën tetë seancave, të cilat ishin caktuar për ditën e mërkurë.
Gjyqtarët dhe prokurorët nga komuniteti serb kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atë Prokurorial , ndërsa dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe stafi adminstrativ, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor i paraparë të mbahet sot, në rastin ku të akuzuarit Leotrim Selimi dhe Bejtë Selaci po akuzohen për veprat penale të vrasjes së rëndë, armëmbajtjes pa leje, respektivisht vrasjes në tentativë, është anuluar për shkak të mungesës së gjyqtarit të rastit, Radosllav Markoviq.
Ndërsa, për shkak të mungesës së gjyqtarëve Sinisha Mandushiq, Dragica Jakovljeviq dhe Vesna Miliq, janë anuluar edhe të paktën shtatë seanca të tjera, të parapara të mbaheshin ditën e mërkurë në Departamentin për Krime të Rënda dhe në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal dhe Divizioni Civil.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” është njoftuar se prokurorët e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i kanë dorëzuar dorëheqjet përmes email-it në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa stafi administrativ serb dorëheqjet i kanë dorëzuar në administratën e prokurorisë.
Sipas Raportit Vjetor për vitin 2021 të Prokurorit të Shtetit, numri i prokurorëve të komunitetit serb është 14 apo shprehur në përqindje i bie diku 7.69%. Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë rreth 19 gjyqtarë serbë.
Edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe e kanë dorëzuar të hënën mandatin e tyre edhe formalisht në Kuvnedin e Kosovës.
Ky largim i tyre, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. /BpD