Arbëri

Anëtari i VV-së emërohet drejtor i ATK-së, cilësohet kapje e institucioneve

Mentor Hyseni - Albin Kurti

Foto e publikuar nga Albin Kurti më 2019, kur prezantoi anëtarësimin e Hysenit në LVV

Mentor Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, ka njoftuar Ministria e Financave.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni. Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë. MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftim të Ministrisë.

Mentor Hyseni në vitin 2019 ishte prezantuar si anëtar i ri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Hyseni ka qenë edhe kryesues i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Drejtor i deritashëm i ATK-së ka qenë Ilir Murtezaj.

Reagimet

Emërimi i Hysenit ka nxitur reagime në opozitë. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka cilësuar këtë emërim “zhveshje të Vetëvendosjes nga çdo vlerë që predikonte”.

“Albin Kurti e paska emëruar militantin partiak, ish-kandidatin për deputet Mentor Hyseni, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit.  Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?” ka shkruar ajo në Facebook.

Për rastin ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai ka thënë se ky është shembull i kapjes së institucioneve publike.

“Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike. Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara. Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave”, ka shkruar ai në Facebook.

VV-ja mbron emërimin e Hysenit në ATK: S’i kemi kritikuar profesionistët nga partitë e tjera

2 muaj më parë / 13 gus 2025 14:46
Mentor Hyseni - Albin Kurti

Foto e publikuar nga Albin Kurti më 2019, kur prezantoi anëtarësimin e Hysenit në LVV

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është kundër emërimeve me motiv partiak e personal pa bazë profesionale e të integritetit, pas reagimeve për emërimin e anëtarit të kësaj partie, Mentor Hyseni, si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Kjo parti madje ka thënë se nuk i ka kritikuar kurrë profesionistët, qoftë edhe nga partitë e tjera.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk ka kritikuar profesionistët qoftë dhe nga partitë e tjera. Ne kemi qenë dhe jemi kundër emërimeve me motiv partiak e personal pa bazë profesionale e të integritetit. Në shumë institucione përfaqësuesit tanë politikë vijojnë të punojnë edhe të promovojnë plot zyrtarë që me bindje janë kundërshtarë me subjektin tonë politik. Sepse jemi munduar e ende mundohemi që të mbështesim punën për vendin jo punët për vete”, thuhet në një përgjigje të zyrës për media të VV-së për KOHËN.

Ministria e Financave gjatë të mërkurës njoftoi se Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i ATK-së. U tha se procesi për këtë post është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale. E Hyseni në vitin 2019 ishte prezantuar si anëtarësim i ri i VV-së. Pikërisht kjo nxiti reagime në shoqërinë civile e në partitë opozitare.

Teksa e ka vlerësuar Hysenin si profesionist në fushën e financave dhe në sektor publik, LVV-ja ka thënë se procesi përzgjedhës është kryer nga institucionet e se “është shumë mirë që një brez i ri profesionistësh po marrin përgjegjësi”.

Sipas VV-së, “askush përveç pozicioneve politike nuk zgjidhet pse është i lidhur subjektin tonë politik”.

“Sepse po të ishte kështu shumë të tjerë që kanë dekada në Lëvizje do të ishin vendosur nëpër pozita. z. Hyseni si shumë profesionistë të tjerë të Kosovës kanë bashkëpunuar dhe disa dhe janë anëtarësuar në Lëvizje. Por për shkak të natyrës së angazhimit ata kanë qenë dhe janë vetëm në sferën profesionale dhe jo organizative”, thuhet në përgjigje.

VV-ja ka thënë se i inkurajon profesionistët të konkurrojnë në poste publike.