Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama, ka vlerësuar se po ekzagjerohet frika lidhur me situatën në veri.
Rama ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se nuk ka asnjë veprim në plan operacional që nuk është ndërmarrë sa i përket organizimit të zgjedhjeve në katër komunat veriore.
“Deri tash, nuk ka një veprim në plan operacional që nuk është ndërmarrë. Tash mos ta ekzagjerojmë shumë këtë punën e frikës. Po ekzagjerohet frika”, është shprehur Rama.
Ai ka folur edhe për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri nëse pjesëmarrja e votuesve del të jetë e ulët.
Sipas Ramës, ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e përcaktojnë numrin minimal të votuesve.
“Ligjet dhe Kushtetuta nuk përcakton numrin minimal të votuesve. E jona si KQZ është që t’ia mundësojmë secilit qytetar me të drejtë vote të votojnë, s’mendoj që është edhe vullneti i qytetarëve që të mos votojnë por është presioni i strukturave atje për të mos dalë në zgjedhje. Nuk ka një prag minimal për të thënë që zgjedhjet janë legjitime. Atje nuk ka ulëse të rezervuara për komunitetin, ata garojnë drejtpërdrejt me secilin, dhe sado që dalin në zgjedhje, ato janë legjitime dhe legale”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se ekzistojnë rrethana shumë të veçanta për shtyrjen e zgjedhjeve dhe se për këtë nevojitet një rekomandim.
Rama ka thënë se KQZ-ja duhet të gjejë alternativa për mbajtjen e zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë e kanë për detyrë që të ofrojnë sigurinë për të gjithë. Ka insistuar që zgjedhjet duhet të mbahen.
“Derisa MPB po thonë se janë në gjendje t’i sigurojnë zgjedhjet atje, atëherë kush e ka rolin atje që thotë se nuk mund të mbahen. Nuk duhet të tërhiqemi nga mbajtja e zgjedhjeve shkaku i kërcënimeve të Serbisë”, ka thënë ai.